Ngjarjet kriminale e ndryshimet e policëve takim blic në prokurorinë e Tiranës

Ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në qytetin e Tiranës dhe rritja e bashkëpunimit mes policisë dhe prokurorisë, kanë qënë temat e një mbledhje “Blic” të zhvilluar paraditen e sotme (11 nentor) në ambjentet e akuzës së kryeqytetit.
Të gjithë shefat e komisariateve të Tiranës, Drejtori i Policisë së Qarkut, Lorenc Panganika, zv/drejtori i policisë kanë zhvilluar një takim me Drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj dhe zv/drejtuesit e kësaj prokurorie.
Takimi vjen në një kohë, kur drejtuesit e komisariateve të Tiranës dhe vetë drejtori i këtij qarku, u ndryshuan sapo u largua Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Në takimin me dyer të mbyllura, mësohet se ju vu theksi në hetimin me shpejtësi të disa prej ngjarjeve të rënda kriminale në Tiranë, raportimit në kohë të ngjarjeve tek prokurori dhe njëherësh ndjekjen me dinamizëm të detyrave hetimore që lenë prokurorët për oficerët e policisë.
Gjithashtu në takim u diskutua për rëndësinë e hetimit të çështjeve ekonomike dhe korrupsionit, pasi kryeqyteti ka popullatën më të madhe dhe institucione më shumë, në raport me qytetet e tjera në vend.
Dhe padyshim që rastet korruptive janë më shumë, ndaj që në këtë prizëm është kërkuar nga ana e prokurorisë referimi i sa më shumë rasteve për korrupsion, qoftë të nivelit të lartë, të mesëm apo të ulët. Njëherësh është kërkuar hetimi me dinamizën e ngjarjeve të rënda, që ende dhe sot nuk janë arritur të zbardhen nga policia.
Ky takim është i pari mes drejtuesve të prokurorisë së Tiranës dhe policisë, pas ndryshimit të tyre nga drejtori i Ri, Gledis Nano.

