Berisha: Ai që nuk njeh statutin vetepërjashtohet, ka një kërkesë masive që unë të rikthehem

Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur se çfarë do të ndodhë nëse kryedemokrati Basha nuk e njeh mbledhjen dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar.   

Berisha u përgjigj se Basha nuk njeh statutin dhe për rrjedhojë ka përjashtuar veten, duke shtuar se demokratët do të respektojnë vendimet e shumicës .

Berisha shtoi se ai do të pranojë çdo verdikt të demokratëve dhe se në këtë lëvizje duket e qartë që ka një kërkesë masive për rikthimin e Berishës.

Berisha: Ai që nuk njeh statutin, vetëpërjashton veten. Del nga radhët e partisë. Statuti është Kushtetuta e PD. Kështu që pavarësisht deklaratave që janë bërë, unë mendoj se çdo demokrat dhe demokrate, do të respektojë vullnetin e shumicës, përndryshe ata zgjedhin rrugën e vetëlargimit, zgjidhje që nuk ua këshilloj, sepse siç e dini, një nga ndryshimet themelore të statutit do të jetë fraksioni. Ne PD-në do e shndërrojmë në shtëpinë e lirisë.

Unë do të pranoj çdo verdikt që japin demokratët në votën e tyre të përgjithshme. Por në këtë lëvizje, siç është e qartë si drita e diellit është fakti se ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës, gjë të cilës nuk i rezistoj, por e pranoj si një detyrim. Por në çdo moment që demokratëve nuk u duket e arsyeshme, e pranoj verdiktin e tyre.