“Të merresh me të famshmit, çështje delikate”, Çelo: Mu deshën 3 vite për të fotografuar Kadarenë

Edvin Çelo është fotografi shqiptar i cili në muajin shtator solli ne muzeun Historik Kombëtar ekspozitën me 36 portrete të njerëzve të famshëm në vend. 

“Anatomia e Imazhit” erdhi me figura të njohura në vend nga bota e artit, sportit dhe politikës. Në emisionin " Jeto me orën " Çelo u shpreh se i është dashur plot dhjetë vjet për ta përmbyllur këtë projekt.

"Kjo fotogaleri erdhi pas një dekade, ka pasur personazhe që më është dashur tre ose katër vjet ta realizoja" u shpreh ai.

Çelo tha se Ismail Kadare ka marrë tre vite kohë. Ndërsa u ndal tek personazhi më sportiv që ishte Lorik Cana.

"Canën e kam fotografuar në Durrës, pas një ndeshjeje që luajti kombëtaria, ishte vërtet sportiv ashtu si dhe në fushë" u shpreh Çelo.

Përveç portreteve, fotografia e artistit Çelo zbulon formën e fshehur dhe vëllimet poetike në arkitekturë dhe natyrë. Çelo kap cilësitë jo-materiale dhe thelbësore të objektit dhe subjektit, siç janë nënkuptimet alegorike, loja me të kaluarën historike, transparenca, butësia, kalimi i kohës ose fleksibiliteti njerëzor në përshtatje me imazhe të paracaktuara dhe formuara nga historia e artit.

Eksperimental nga natyra, Edvin Çelo pëlqen gjithashtu dhe dinamikën e trupit në lëvizje, nudon, lojën me dritën dhe abstragimin me objekte formale dhe natyrale. Shquhet si njohës mjaft i mirë i proceseve në fotografi me dritë të plotë dhe drita të imëta duke treguar kreativitet në kompozim dhe një ndjesi natyrale për gamën e ngjyrës dhe toneve.