“Emigrojnë” edhe bagëtitë! Në Elbasan, në një vit mungojnë 22 000 krerë
Paralajmërimi i Ministres së Bujqësisë për ngritjen e Akademisë së Barinjve duket se nuk do të jetë i nevojshëm. Kjo edhe pse mund të kemi barinj të shtuar në të ardhmen, në Elbasan po mungojnë bagëtitë. Në harkun kohor të një viti mungojnë plot 22 000 krerë bagëti.
Në Shqipëri po emigrojnë edhe bagëtitë. Në harkun kohor të një viti, në qarkun e Elbasanit është shfaqur një fenomen shqetësues i mungesës së bagëtive.
Që nga viti i kaluar deri më tani qarku numëron 22 mijë krerë bagëti më pak.
Mesa duket edhe Akademia e Barinjve e paralajmëruar nga ministrja Frida Krifca nuk do të jetë e nevojshme, pasi me këtë ritëm pritet që shumë shpejt të paktën Elbasani të mbesë pa bagëti.
"Vihet re një ulje, është një ulje e numrit të numrit të krerëve, qoftë i gjedhëve apo të imtave."
Shërbimi Veteriner i Elbasanit rendit disa arsye për uljen e numrit të bagëtive, mes tyre edhe mungesën e ndihmës nga shteti.
"Mungesa e subvencioneve ndaj fermerëve."
Ulja e numrit të bagëtive është reflektuar edhe në rritjen e çmimit të mishit për konsum në treg, ku aktualisht një kg mish qingji kushton deri në 1000 lekë, ndërsa mishi i viçit deri në 900 lekë.
Nga 30000 krerë gjedhë që kishte Elbasani në vitin 2020, sot ka 28000 të tilla, ndërsa nga 230 000 bagëti të imëta tanimë ka vetëm 210 000 krerë.

