Të rinjtë “emigrim” drejt Tiranës, banorët: Shteti të rikthejë vemendjen tek investimet në këto zona

Mungesa e investimeve në infrastrukturë rrugore dhe problemet me furnizimin me ujë të pijshëm kanë detyruar dhjetra të rinj të lënë Pezën e ti drejtohen tregut të punës në kryeqytet duke lënë pas prindërit e tyre të moshuar. Kush ka mbetur aty tashmë ka një apel për të investuar në infrastrukturë.

Vetëm 7 km nga qendra e Pezës, fshati Gjyselkonje dhe fshatrat përreth janë lënë në mëshirë të fatit nga pushteti vendor.

Mungesa e investimeve ka bërë që të rinjtë të largohen drejt kryeqytetit për të lënë në zonë vetëm të moshuarit.

"Rrugën e kemi problem gjithë zona."

Jemin Rroshi, 76 vjeç, baba i 6 fëmijëve tregon për Ora News se fëmijët e tij janë larguar si pasojë e mungesës së infrastrukturës.

"Gjithë fshati po ikën vetëm prej rrugës. Kanë mbetur ca pleq dhe ndonjë familje e dobët që nuk mund të lëvizë. Unë kam mbetur me plakën, fëmijët i kam në Tiranë."

Thotë se për 50 vite nga shteti nuk është bërë asnjë investim.

"50 vjet që na gënjejnë, do ta bëjmë sot, do ta bëjmë nesër."

Fshatrat në njësinë administrative të Pezës, Pajon, Grecë dhe Gjyselkonje nuk kanë ujë të pijshëm.

"Nuk kemi ujë."

Puset janë e vetmja zgjidhje.

"Vetëm ujë pusesh."

Të gjithe banorët pothuajse kanë të njëjtat halle dhe një apel.

"E patë vetë rrugën, të shohin dhe për popullin jo vetëm për veten e vet."