Padi drejtorit të AKU-së për akulloret, KLSH: Kishin substancën Oksid Etileni, Skënderaj nuk veproi
Drejtori i AKU-së, Bledar Skënderi, do të përballet me KLSH në prokurori pasi akuzohet për mos veprim në largimin nga tregu të akulloreve që kishin në përmbajtje një substancë të rrezikshme. Po ashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur dhe 9 zyrtarë të Tropojës, të cilët akuzohen se kanë bërë shkelje në tenderin për shkollën "Asim Vokshi".
Tregtimi i 11.7 tonëve akullore, të cilat kishin në përmbajtje substancën oksid etileni, i ka kushtuar një padi penale drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së Bledar Skënderaj.
Vendimi është marrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas ngritjes së problematikës në media për çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore.
Pas këtyre lajmeve është ushtruar kontroll jashtë programit ku janë konstatuar mosveprime nga drejtori i AKU dhe si pasojë e konstatimeve kallëzimi është dorëzuar në prokurorinë e Tiranës.
Në atë kohë mediat denoncuan faktin se vetëm 20 ton produkte që kishin substancën e rrezikshme u larguan nga tregu, ndërsa pjesa tjetër ishte blerë nga konsumatorët.
Njoftimi në fakt në atë kohë erdhi prej organizmave të Bashkimit Evropian.
Po ashtu në SPAK është dorëzuar prej KLSH dhe kallëzimi për nëntë zyrtarë të bashkisë Tropojë.
Pas verifikimeve është konstatuar se janë bërë shkelje në tenderin për shkollën "Asim Vokshi".
Bëhet fjalë për një prokurim të vitit 2018 ku u skualifikuan të gjithë pjesëmarrësit duke lënë në garë vetëm kompaninë që fitoi fondin prej 63 milionë lekësh.
Edhe për Open Data ky proces është konsideruar i dyshimtë duke u sinjalizuar me flamur të kuq.
"Nga auditimi “Financiar dhe i Përputhshmërisë” i ushtruar në Bashkinë Tropojë, KLSH ka konstatuar:Shkelje të barazisë në tendera, nga anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt: “Shkolla Asim Vokshi- palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin “Asim Vokshi”. Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK tre funksionarë të Bashkisë Tropojë, anëtarë të KVO-së, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, si dhe Veprime apo mosveprime të gjashtë funksionarëve të Bashkisë Tropojë, anëtarë të njësisë se prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë” të cilat në tërësinë e tyre përmbajnë elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Në lidhje me shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë kallëzim penal për personat e sipërcituar".
