Rama zotohet para Forcave të Armatosura: Do ju rrisim sërish pagat, brenda NATO-s do jemi diku në mes
Anëtarët e Forcave të Armatosura në Shqipëri do të kenë një rritje page prej 30 % vitin e ardhshëm. Premtimi i kryeministrit Rama u bë në prezantimin e Buxhetit të Shtetit për ministrinë e Mbrojtjes. Ndërsa ministri Peleshi theksoi se 2% e PBB për forcat e Armatosura synohet të arrihet në 2024-ën.
Rritje pagash deri në 30 për qind për të gjithë nivelet e Forcave të Armatosura.
Ky është premtimi i kryeministrit Rama dhe ministrit Niko Peleshi gjatë prezantimit të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2022.
Ndër të tjera ai theksoi se synimi është që brenda mandatit të tretë të jemi diku në mes të vendeve të NATO-s për pagat e ushtarakëve dhe se tashme nuk do të kemi ushtrinë më pak të paguar në vendet e Aleancës.
Edi Rama: Nuk është rritja e parë e pagave që bëjmë, kjo është një rritje e konsiderueshme, dhe nëse kur u takuam me një pjesë prej jush pas përballimit të krizës së zjarreve, unë ju thashë se do të rrisim pagat, dhe sot pagat janë të shkruara me 30% rritje për buxhetin e ardhshëm. Jam këtu para jush me një zotim të mbajtur me një rritje të konsiderueshme të pagave. Vitin tjetër do i rrisim sërish pagat. Me këtë rritje pagash nuk kemi më ushtrinë më të pak paguar të vendeve të NATOS. Nuk jemi as në krye as në mes por nuk jemi as të fundit. Brenda mandatit të tretë do jemi diku në mes. Forcat e Armatosura pavarësisht se në numër janë modeste, këta rrisin me cilësi atë reputacion që sot e kanë vërtetë të mirë. Shqipëria ka një forcë ushtarake model në çdo pikëpamje.
Buxheti i vitit 2022 vjen me rritje për Forcat e Armatosura, rreth 32.6 mld lekë më shumë se një viti më parë.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi theksoi se objektivi i kërkuar dhe nga NATO, është që në vitin 2024 buxheti të jetë 2% i Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Po ashtu, Peleshi tregoi se stërvitja e përbashkët e NATOs “Defender 2023”, do të ketë vend pritës Shqipërinë.
