Covid-19, Dollenberg: Ekspertët kanë dhënë alarmin për valën e katërt, shtetet të marrin masa

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, është shprehur se në shumë vende të Evropës  ka pasur një rritje të rasteve të reja, ndërsa shton se vala e katërt mund të jetë e rrezikshme.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj, mjekja u shpreh se Covid-19 po shfaqet në forma të ndryshme, sakaq thotë se varianti “Delta” ndryshe nga variantet e tjera infekton deri në 10 persona.

Aurora Dollenberg: Në shumë vende të tjera të Evropës ka pasur një rritje të rasteve të reja. edhe pse kemi një vit që vaksionojmë, kjo valë e katërt mund të jetë shumë e rrezikshme. Shenjat e para po i dallojmë në Gjermani. kemi një ngarkesë të spitaleve, të shtretërve. Gjermania e ka shpallur se ndodhet në situatë krize. 

Mbi 80% e popullsisë gjermane kanë marrë një dozë ndërsa 65% i kanë marrë të dyja dozat. Kemi arritur minimumin e imunitetit të tufës dhe përsëri  pandemia fillon të rezistojë vaksinës. Virusi po shfaqet në forma të ndryshme duke ulur efikasitetin e vaksinës dhe duke u përhapur në mënyrë të dukshme më shpejt se në fillim. Varianti ‘Delta’ infekton 8 deri në 10 persona. Pra kemi një shumëfishim të infektivitetit.

Mjekja thotë se të gjithë shtetet duhet t’i marrin masat tani para se të jetë vonë dhe virusi të përhapet në masë.

Aurora Dollenberg: Masat duhet të merren tani par se të jetë vonë. Ekspertët kanë dhënë alarmin. Edhe personat e vaksinuar dhe ata që e kanë kaluar Covid-19, kanë rrezik që të infektohen sërish. Pritshmëritë tona janë thyer në mënyrë të dukshme. Planet që po hartohen tani janë pikërisht për t’i theksuar më tepër masat mbrojtëse, qoftë maska, distanca dhe dozës së tretë së vaksinimit për të dalë nga kjo situatë krizë që ndodhemi.