Shkelje e barazisë në tendera e shpërdorim detyre, KLSH çon në SPAK 9 funksionarë të bashkisë Tropojë
KLSH kallëzon në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar SPAK dhe prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Tropojë nëntë funksionarë të bashkisë Tropojë.
Kallëzimi lidhet me shkeljet e konstatuara gjatë auditit të kryer në këtë bashki lidhur me tenderin për rikonstruksionin e shkollës "Asim Vokshi" dhe rikonstruksionin e pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan dhe Cërrnicë.
"Nga auditimi “Financiar dhe i Përputhshmërisë” i ushtruar në Bashkinë Tropojë, KLSH ka konstatuar:
- Shkelje të barazisë në tendera, nga anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt: “Shkolla Asim Vokshi- palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin “Asim Vokshi”.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK tre funksionarë të Bashkisë Tropojë, anëtarë të KVO-së, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, si dhe
-Veprime apo mosveprime të gjashtë funksionarëve të Bashkisë Tropojë, anëtarë të njësisë se prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë” të cilat në tërësinë e tyre përmbajnë elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Në lidhje me shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë kallëzim penal për personat e sipërcituar" thuhet në njoftim.
Në lidhje me shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë kallëzim penal për personat e sipërcituar.


