Kapen 66 mijë euro të padeklaruara në portin e Durrësit, paratë u gjetën në autobusin e linjës Shqipëri-Itali
Policia kufitare e portit të Durrësit ka sekuestruar 66 mijë euro të padeklaruara.
Sasia e eurove është gjetur gjatë nje kontrolli të ushtruar në një autobus të linjës Shqipëri-Itali.
Policia kufitare ka arrestuar dy shoferët e autobusit, Vullnet Elezi dhe Anastas Thanasi.
"Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga ana e shënimeve të "Policisë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobus, me drejtues shtetasit V. E., dhe A. Th. Gjatë kontrollit të kryer në tavanin e autobusit, shërbimet e Policisë konstatuan 66 040 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë", shtetasit V. E., 50 vjeç banues në Elbasan dhe A. Th., 61 vjeç, banues në Tiranë (shoferë të autobusit)" njofton policia.
Strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë vepër penale.