Grabitje me firmën e Kryebashkiakut/ Një duzinë me letra të falsifikuara, topografi tjetërsoi 3 parcela me emrin e Jorgo Goros

Topografi i Himarës, Elton Marku, ka falsifikuar edhe firmën e kryebashkiakut Jorgo Goro në skemën e grabitjes së pronave në Dhërmi. Në dosje gjenden dokumenta që implikojnë edhe familjarët e tij vetëm me synim përvetësimin e paligjshëm të tokave dhe shitjen e tyre.

Dy parcela të llojit “Arrë” dhe një “Ullishte” me sipërfaqe totale prej 7700 metra katror që ndodhen në zonat e quajtuara “Shima” dhe “Parambela” në fshatin Dhërmi, rezultojnë të jenë pasuritë që janë vjedhur nga topografi i bashkisë së Himarës, Elton Marko.

Këto tre pasuri me sipërfaqe 2500 m2, 3mijë m2 dhe 2200 m2 katror, janë rregjistruar në hipotekën e Vlorës në emër të Arqile Marko, Mimoza Marko, dy prindërit e Elton Markos dhe motrës së tij, Larisa Marko.

Për vjedhjen e këtë pasurive, topografi i Bashkisë së Himarës, ka përdorur një skemë mjaft të zgjuar falsifikimi të një sërë dokumentash.

Duke filluar nga Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi dhe deri tek forma e firmës zyrtare të kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, dhe punonjësve të kësaj bashkie, Jerasimo Bashi, Andi Haxhiaj, Lindita Cumani dhe Elida Qepi.

Hetimet e kryera nga prokurori, Aurel Zarka, kanë nxjerrë në dritë, se njërën nga sipërfaqet e tokës me 3 mijë metra katror, topografi Elton Marko dhe motra e tij, Larisa Marko, ja kanë shitur me vlerën prej 5 mijë euro, një 28-vjeçari nga Vlora, Gerlind Muçaj.

Veprimet hetimore kanë zbuluar se gjithçka ka nisur në mëngjesin e 16 marsit 2021, kur rreth orës 08:29, Elton Marko, ka aplikuar në portalin e shërbimeve e-Albania, duke kërkuar që të paiset me një “Lëshim vërtetim pronësie” dhe më pas “Rregjistrimin fillestar të pasurisë”.

Ndërkohë që gjatë fazës së aplikimit ka bashkangjitur të skanuar një AMTP me Nr.307 të datës 30 nëntor 2017, që mban emrat Arqile Marko, Mimoza Marko, dy prindërit e Elton Markos dhe motrës së tij, Larisa Marko.

Veç kësaj procedure, Elton Marko, mandej ka paraqitur plane rilevimi, dhe një sërë shkresash të tjera të nxjera në mënyrë fiktive nga Drejtoria e Manaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Pyjeve dhe Kullotave.

Pjesë e dokumentave të falsifikuara me qëllim vjedhjen e 7700 metra tokë në Dhërmi të Himarës, janë bërë dhe aktet që janë zyrtare dhe që lëshohen me firmën e kryebashkiakut të Himarës. Një shkresa përcjellëse është nënshkruar nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, ka vulen me logon e institucionit të Bashkisë Himarë, si dhe në anën e majtë poshtë ka shënimin.

Mbi bazën kërkesës të shtetasit Elton Marko si dhe akteve të lëshuara nga Bashkia Himarë, janë pajisur me vërtetime hipotekore shtetasit Elton dhe Larisa Marko.

Gati  dy muaj pasi kishte nisur të gjithë praktikën e falsifikimit, rezulton se në datë 30 prill 2021, Elton Marko, i cili me prokurë përfaqëson edhe motrën Larisa Marko, kanë kryer transaksion mbi pasuritë e regjistruara, konkretisht kontratë shitje mbi parcelën me emërtimin "Shima" sipërfaqe 3000 m².

Ky transaksion është bërë në vlerën 5 mijë euro nga Gerlind Muçaj. Në deklarimin e dhënë Jorgo Goro me detyrë kryetar i Bashkisë Himarë, ka pohuar se nuk është nënshkrimi i tij në dokumentet.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Vlorës një ditë më parë ka vendosur të arrestojë për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Pastrimit të produktit të veprës penale”, topografin e bashkisë Himarë, Elton Marko.