Hidhte mbetje makinash në Nartë, prangoset 56-vjeçari nga Vlora

Policia e Vlorës ka vënë në pranga 1 person, për ndotje të ambientit me mbetje makinash.

Po ashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një kamionçinë që transportonte pjesë automjetesh.

Bëhet fjalë për shtetasin D. M., 56 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini", Vlorë, i cili hidhte mbetjet në vendin e quajtur “Tregu i fruta-perimeve” në Nartë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në kuadër të planit për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, si rezultat i kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 56 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini", Vlorë. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se shtetasi D. M. transportonte me një mjet kamion, mbetje makinash, të cilat i hidhte në vendin e quajtur “Tregu i fruta-perimeve” në Nartë, duke krijuar grumbuj mbetjesh, ndotje të rëndë të ajrit dhe prishje të strukturës së tokës.” – bën me dije policia.  

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.