Pse Holanda hoqi veton? Tani negocion me Bullgarinë për të çelur Shqipëria negociatat me BE-në
Holanda po ndërmjetëson me Bullgarinë për të hequr veton dhe për ti hapur dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për integrimin në Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Edi Rama, kreu i qeverisë holandeze tha se ka shpresa se pas zgjedhjeve që do të mbahen të dielën në Bullgari rruga do të jetë e hapur.
“Jam kaq i lumtur që kemi qenë në gjendje që të hedhim hapin e parë në procesin e anëtarësimit në BE. Po, është e drejtë që për të nisur zyrtarisht Konferencën e Parë Ndërqeveritare, është thelbësore që të zgjidhim bllokimin nga ana e Bullgarisë. Shpresoj që ta bëjnë këtë gjë. Do të kenë zgjedhje të dielën. Shpresoj fort që do ta bëjnë këtë gjë. Do të vizitoj edhe Maqedoninë e Veriut më vonë”.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka treguar arsye pse për shumë vite Holanda i kishte vënë veton Shqipërisë kur bëhej fjalë për integrimin në Bashkimin Europian.
“Kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë këto dy vjet në luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e drejtësisë dhe atë të policisë. E kemi diskutuar edhe në takimin tonë dypalësh sot për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi. Kjo ka ndërtuar besim, por gjithashtu dhe fakti që të qenit rigoroz dhe i drejtë ne i shohim gjithmonë raportet e Komisionit Evropian se ku Shqipëria qëndronte në reformën e saj për pavarësinë e drejtësisë, për Vetingun e gjyqtarëve shqiptarë dhe në termat e luftës kundër krimit të organizuar.
Të gjithëve na duhet të bëjmë shumë punë, edhe vendi im, por gjithashtu edhe Shqipërisë do t’i duhet të bëjë më shumë gjatë viteve që vijnë, por progresi që është arritur në këto 5 vitet e fundit ka qenë kaq i madh, po të themi në kuptimin që na bëri ne të themi ‘Po’.
Më duhet ta them se jemi sprapsur për kaq kohë të gjatë për t’u thënë ‘Jo’ këtyre bisedimeve të anëtarësimi, kjo natyrisht nuk është thjesht çështje e krimit të organizuar por gjithashtu e sundimit të ligjit të ekonomisë dhe sesi konvergojmë në punë tonë së bashku në këtë pjesë të Ballkani Perëndimor me BE. Ideja është se ne duam që ky rajon të ketë perspektivë BE për shumë arsye, sepse jemi miq, sepse jemi fqinj, po kështu sepse të tjerë mund të përfitojnë të kenë influencë në këtë rajon që ne nuk e duam. Pra ka arsye gjeopolitike dhe gjeostrategjike për ta bërë një gjë të tillë. Por dhe thjesht pranimi i faktit se nën udhëheqjen e Edi Ramës janë ndërmarrë kaq shumë hapa".
Kryeministri Edi Rama tha se procesi i integrimit është kompleks, por për Ballkanin është një rrugë pa kthim.
Në këtë pikë ai përmendi sërish iniciativën e Ballkanit të Hapur, gjë që mori vlerësimin edhe të kryeministrit holandez.
"Ne kemi shumë nevojë për BE, besoj që BE i duhet shumë Ballkani Perëndimor. BE nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ka konflikte, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ndjenja e mërzisë apo ndjenja e trashëtisë nga ana e BE të prevalojë, nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku forca të tjera të gjejnë terren".
Dy kryeministrat u shpresën të shqetësuar për situatën politike në Bosnje. Edi Rama tha se çdo problematikë duhet trajtuar në mënyrë serioze, ndërsa Rutte u shopreh se serbët e Bosnjes po shkelin hapur marrëveshjen e Dejtonit.
