"Nuk mund të pimë kafe me një person non grata", Yuri Kim tregon si do jetë marrëdhënia e saj me PD nëse Berisha zgjidhet kryetar
Ditën që ish-kryeministri Sali Berisha dorëzoi firmat për mbledhjen e Kuvendit të PD-së me 11 dhjetor, ambasadorja amerikane Yuri Kim në një intervistë për Top Channel thotë se ShBA nuk do të angazhohet me askënd që është shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit teksa u pyet si do të jenë marrëdhëniet e saj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj.
Kim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur non grata nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.
Kim thotë se SHBA njohin personin e zgjedhur rregullisht si kryetar i asaj Partie.
Kim: Unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.
Duke mbetur te shpallja non grata e Berishës, një figurë e rëndësishme dhe bashkëpunëtor i qeverive amerikane, diplomatja jep këtë shpjegim.
Kim: Ne shohim faktet dhe nuk shohim partinë politike të dikujt. E di që ka disa teori konspirative sikur kjo vë në shënjestër një krah apo tjetrin. Do vija në dukje që deri më sot janë katër persona që janë shpallur nga Sekretari i Shtetit, besoj nga 2018. Dhe shumica e tyre nuk janë me Partinë Demokratike, pra, partia s’ka fare të bëjë me këtë. Ne shohim faktet; e gjitha kalon në një proces shumëvjeçar zakonisht, ku shqyrtojmë të gjithë informacionin. Vendimmarrësit bëjnë më shumë pyetje dhe në çastin kur vendimi arrin në tryezën e Sekretarit të Shtetit, pavarësisht kush është, ne jemi 100 përqind të sigurt. Dhe fakti është po ashtu që kur dikush shpallet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë; shikoni edhe të tjerët që Shtetet e Bashkuara kanë shpallur në botë; në atë listë nuk është askush që njerëzit e shohin shpalljen dhe mendojnë: kjo qenka mister. Nuk është mister.
Faktet janë përpara syve. Ndaj ne jemi shumë të bindur me shpalljet tona dhe duhet t’ju them që Presidenti Biden e ka bërë shumë të qartë përmes disa prej Urdhrave Ekzekutivë të tij dhe një Proklamate Presidenciale në qershor që, për Shtetet e Bashkuara, korrupsioni është një çështje që ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Duam që partnerët dhe aleatët tanë si Shqipëria të jenë të fortë dhe të sigurt, të jenë demokraci të vërteta. Korrupsioni është pengesë për këtë. Ndaj, nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë në këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë.
E pyetur a do të ketë shpallje të tjera non-grata, ajo thotë:
Kim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.
