Kapja e 476 kg kokainë në Itali/ Shqiptari, pronar i dy firmave të ndërtimit, tërhoqi vëmendjen me dritën e alarmit

Autoritetet e policisë rrugore e të Guardia di Finanza të Arezzo-s në Itali kanë sekuestruar 476 kg kokainë e kanë vënë në pranga një shqiptar 38-vjeçar me leje të rregullt qëndrimi në Itali e banues në provincën e Firenzes.

Shqiptari në bordin e një kamioni udhëtonte përgjatë autostradës A1 duke përdorur një dritë alarmi, zotërimi i së cilës nuk ishte i motivuar për automjetin e tij.

Automjeti është ndaluar në daljen e autostradës me destinacion Arezzon, e shqiptari është shoqëruar në komisariatin më të afërt, ku u dentifikua me inicialet C.E, e pronar i dy firmave ndërtimi, raporton Ora News.

Gjatë marrjes në pyetje shqiptari kishte shfaqur shenja të dukshme nervozizmi e nuk motivonte praninë e dritës së alarmit në automjetin e tij.

Ky fakt kërkoi ndërhyrjen e Guardia di Finanzës e cila bëri një kontroll më të imët të automjetit të 38-vjeçarit. 

Në pjesën e rimorkios së kamionit,  mbushur me instrumente ndërtimi, iu gjetën fshehur 400 pako kokainë e cilësisë mjaft të pastër me një peshë të përgjithshme 476 kg.

"Ky është sekuestrimi më i madh i kokainës bërë në territorin e Arezzos", informon policia italiane e droga do të kapte një vlerë përfitimi tregu mbi 45 milionë euro.

Ndaj shqiptari është lëshuar urdhëri i ndalimit e është në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.