“Ballkani i Hapur”, Rutte: Holanda 'pro' për aq kohë sa është i hapur për këdo. Rama: Nuk është çelës magjik por...

"Ballkani i hapur" ishte një temë diskutimi mes kryeministrit Rama dhe atij holandez, Mark Rutte i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë konferencës së përbashkët për mediet me kryeministrin Rama, Rutte u shpreh pro nismës "Ballkani i Hapur"  për sa kohë është i hapur për të gjitha vendet e rajonit.

Rutte: Për sa i përket nismës së Ballkanit të Hapur ne jemi në favor të integrimit rajonal për sa kohë është i hapur për këdo. Unë e kuptoj që është shumë i hapur edhe për Malin e Zi, Bosnjën, Kosovën në mënyrë që ata të bëhen pjesë gjithashtu sepse ndihmon që të punohet drejt hapave të mëtejshëm në bisedimet e anëtarësimit duke përdorur përdorimin e standardeve dhe kuadreve të BE sa më shumë të jetë e mundur.

Kryeministri Rama u shpreh se Ballkani i Hapur nuk është çelës magjik, por është mekanizëm që i shërben zhvillimit rajonal dhe rrugës drejt BE pasi BE ka nevojë për një Ballkan Perëndimor.

Rama: Ne kemi shumë nevojë për BE dhe BE ka shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor. BE nuk i duhet një Ballkan Perëndimor ku ka konflikte e ndjenja e mërzisë, apo e tradhtisë nga ana e BE-së të prevalojë. Nuk i duhet një BP ku forcat e tjera të gjejnë terren pasi ne fizikisht jemi brenda tij. Dhe BE është i vetmi realitet në hartën e botës që ka një kufi të jashtë dhe një kufi të brendshëm.

Dhe brenda këtij kufiri të brendshëm është Ballkani Perëndimor. Specifikisht ata që shohim në rajon këto ditë  - nuk janë shenja të mira as në Bosnje, as në Mal të Zi, as në Maqedoninë e Veriut dhe as në kufirin e Kosovë Serbi - janë një arsye për të shtuar më shumë forcat dhe rritur bashkëpunimin, prandaj Ballkani i Hapur nuk është çelës magjik por mekanizëm që i shërben këtij qëllimi.