Burg për 27-vjeçarin nga Kamza që dhunoi barbarisht vogëlushen 6-vjeçare

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për 27-vjeçarin me iniciale R.K banues në Kamëz, i akuzuar për akte dhune çnjerëzore ndaj vajzës së tij 6 vjeçare.

Prokuroria  ka ngritur ndaj të pandehurit edhe akuzën për abuzim seksual ndonëse nuk është vërtetuar ende nëse një veprim i tillë është kryer ndaj të miturës nga babai i saj. Prokuroria bëri të ditur në seancë se ende nuk ka mbërritur akt-ekspertimi mjeko-ligjor që po kryhet për të përcaktuar dëmtimet fizike të 6-vjeçares por edhe për ti dhënë përgjigje pyetjes nëse ndaj saj ka pasur abuzim seksual.

Babai 27-vjeçar i arrestuar që prej datës 28 tetor, ka pranuar dhunën ndaj vajzës, por ka mohuar të ketë abuzuar seksualisht ndaj saj. Shtetasi me iniciale R.K, në dëshminë e tij ka pranuar se e ka rrahur me thupër  vajzën pasi ajo e merrte shpesh në telefon të ëmën dhe sipas tij, kjo gjë e bezdiste, prandaj e ka rrahur. Babai i të miturës ka deklaruar se ka qenë ai që e ka dërguar vajzën në spital pas dëmtimeve fizike që i ka shkaktuar.

Njoftimi i Gjykatës

Në dokumentin e siguruar nga Ora News thuhet:" Gjykata vendosi pranimin e kërkesave të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personin nënë hetim R.K. caktimin si masë sigurimi personal ndaj personi nën hetim R.K të "arrestit në burg" parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. ngarkohet Prokuroria e Tiranës për ekzekutimin e këtij vendimi. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brena 5 ditëve në Gjykatën e Apelit Tiranë, nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar. U shpall sot në Tiranë, më datë 02.11.2021."



09:37 Del sot në Gjykatë babai që akuzohet se kafshoi dhe rrahu me thupër vajzën e vogël vetëm 6 vjeçe

Do të dalë sot para Dhomës Penale të Gjykatës së Tiranës, 27 vjeçari i akuzuar për dhunë ndaj vajzës së tij vetmë 6 vjeçe.

Rasti alarmant i dhunës në familje u  zbulua së fundi në Kamzë ku babai akuzohet se ka rrahur me thupër dhe ka kafshuar në pjesët intime të trupit vajzën 6-vjeçare. E dëmtuara përfundoi në spital më 28 tetor.

Mësohet se kanë qenë pikërisht bluzat e bardha që lajmëruan policinë pasi panë shenjat e rënda të dhunës tek vajza e mitur.

Për autorin e dyshuar prokuroria ka kërkuar masën "arrest me burg" dhe seanca do të mbahet me dyer të mbyllura.

Ndërkaq nëna e të miturës ka dhënë dëshmi kontradiktore për hetuesit.

Prindërit e saj ishin ndarë 6 vite më parë por rreth 2 muaj më parë kishin nisur bashkëjetesën përsëri në një familje.

Gjatë kësaj kohe, kur besohet se ka nisur edhe dhuna ndaj vajzës, e mitura merrte nënën e saj në telefon duke i kërkuar që të shkonte në shtëpi dhe mos ta linte vetëm me babin.