Ndryshimet në Kushtetutë, Gjeta: PD është në krizë lidershipi, procese të tilla kërkojnë legjimitet të madh politik

Politologu Altin Gjeta shprehet se iniciative për ndërhyrjet në Kushtetutë vjen në një kohë të papërshtatshme ndërsa shton se teksa ndërhyhet për rregullimin e një krize momentale krijohen probleme të tjera.

I ftuar në emisionin “Drejt” në RTV Ora, Gjeta shprehet se ndryshime të tilla nuk mund të bëhen në një kohë kur PD është në krizë lidershipi, ndërsa shton se procese të tilla kërkojnë legjimitet.

Altin Gjeta: Të gjitha këto ndërhyrje që synojnë rregullimin e krizave momentale kanë krijuar probleme që prodhojnë probleme dhe nuk shkohet te thelbi i problemit. Iniciativa për ndërhyrjet në Kushtetutë vjen në një moment të papërshtatshëm. PD është e paqartë është mes një krize dhe procese të tilla kërkojnë legjimitet të madh politik. Nuk mund të bëhen në një kohë  kaq të shkurtër në një kohë kur PD është në një krizë lidershipi.

Gjeta thekson se fillimisht duhet të sqarohen situata brenda PD e më pas të flitet për procese të tilla.

Altin Gjeta: Unë mendoj se duhet të sqarohet  situata brenda PD dhe pastaj të hapet një proces gjithëpërfshirës konsultativ.

Ndryshimet në Kushtetutë sipas Gjetës nuk prekin vetëm partitë politike.

Altin Gjeta: Ndryshimet që supozohet të ndërmerren në kodin zgjedhor janë ndryshime që nuk prekin vetëm partitë politike. Partitë nuk janë pronarët e sistemit zgjedhor ata janë aktorët. Shqipëria duhet të heqë dorë nga praktika kur lojtarët vendosin për rregullat e lojës.