Pse në Shqipëri ndryshon kaq shpesh Kushtetuta? Problem që krijon problemin, por opozita duhet të lërë cicmicet
Në vende demokratike ndërhyrjet në Kushtetutë bëhen në kushte jashtëzakonisht ekstreme dhe ndërhyrjet kanë seriozitetin e vet.
Ndërkohë që në Shqipëri ato ndryshojnë shumë shpejt? Pse? Analisti i njohur Mentor Kikia e ka një shpjegim dhe e dha në studion e emisionit “Drejt” të Luan Ramës në RTV Ora.
"Përshtypje më bën arsyeja përse ndryshohet. Klasa jonë politike ka dëshmuar se ndërhyn sa herë duhet të çimentojë një interes të vetin. Edhe kur ndryshimet janë bërë për interesa madhore siç është reforma në drejtësi ai që ka patur pushtetin në dorë dhe ka pasur mundësinë për të ushtruar ndikimin e ka shfrytëzuar për të bërë jo një Kushtetutë që ti rezistojë kohës por për që ti shërbejë pushtetit të tij.
Kjo e ka bërë Kushtetutën të jetë jo shumë jetëgjatë, e të prodhojë efektin negativ. Ndryshimet janë bërë për të futur ligje specifike ku favorizohen sipërmarrje X dhe ky ligj interferon deri tek Kushtetuta.
Për shkak të këtyre interesave ndryshimet kushtetuese janë bërë në një mëngjes pune e shpejt e shpejt. Nuk ka pasur as një informim masiv për ndryshimet e këtyre rregullave bazë të shtetit. Ky ndryshim i rrufeshëm ka prodhuar efektin negativ dhe tani kërkohet të ndryshohet.
Kjo luftë riciklon interesin, konfliktin, dhe ajo që mbetet është çështja e pazgjidhur. Vetë Kushtetuta është një çështje e pazgjidhur.
Nuk bëjmë asnjëherë një reformë zgjedhore që të rezistojë të paktën dy proceseve zgjedhore”
Edhe politologu Altin Gjata ka këtë mendim: Në Shqipëri ndërhyrjet kanë synuar akomodimin e interesave afatshkurtra. Kjo ka krijuar një efektin “problemi që krijon probleme”
Po në këtë pozicion opozita duhet të jetë tepër e kujdesshme, e paralajmëron analisti Kikia dhe të lërë cicmicet.
Mentor Kikia: “Përpara se opozita të shkojë tek kërkesa për ndryshime kushtetuese duhet të dijë a realisht ka fuqi për të shkuar për të bërë këto ndryshime. Nëse është e bindur që këto ndryshime nuk ka mundësi ti kalojë duhet të kursejë këtë betejë të radhës politike me këto cicmice. Të gjithë merremi me këtë teatër dhe në fund nuk do të bëhet asgjë.”
