Dhunë barbare mbi 6-vjeçaren, babai në Kamëz e kafshoi dhe e rrahu me thupër vajzën, pritet ekspertiza për abuzim

Një rast alarmant i dhunës në familje është zbuluar së fundi në Kamzë ku babai akuzohet se ka rrahur me thupër dhe ka kafshuar në pjesët intime të trupit vajzën 6-vjeçare. E dëmtuara përfundoi në spital më 28 tetor, ndërsa për autorin e dyshuar prokuroria ka kërkuar masën "arrest me burg". Ndërkaq nëna e të miturës ka dhënë dëshmi kontradiktore për hetuesit.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën "arrest me burg" për një 27-vjeçar me banim në Kamëz, i cili akuzohet për dhunë çnjerëzore ndaj vajzës së tij vetëm 6-vjeçare.

Ndaj të dyshuarit me iniciale R.K, janë ngritur akuzat "keqtrajtim i të miturve" dhe "dhunë seksuale", edhe pse Prokuroria konfirmon se ekspertimi nuk ka përfunduar ende për të konfirmuar nëse ndaj të miturës ka pasur apo ajo abuzim seksual.

Megjithatë nga këqyrja e trupit të vajzës, e cila përfundoi në spitalin e Traumës më 28 tetor, ka rezultuar se babai i saj e ka rrahur me thupër e madje e ka kafshuar në zona të ndryshme të trupit, përfshi edhe pjesët intime.

Policia, e cila arrestoi babain e vajzës, është njoftuar për krimin e rëndë në datën 28 tetor rreth orës 19.00 pasi vajza ka përfunduar në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë.

Mësohet se kanë qenë pikërisht bluzat e bardha që lajmëruan policinë pasi panë shenjat e rënda të dhunës tek vajza e mitur.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, nëna e të dëmtuarës mban qëndrim kontradiktor në lidhje me ngjarjen.

Prindërit e saj ishin ndarë 6 vite më parë por rreth 2 muaj më parë kishin nisur bashkëjetesën përsëri në një familje.

Gjatë kësaj kohe, kur besohet se ka nisur edhe dhuna ndaj vajzës, e mitura merrte nënën e saj në telefon duke i kërkuar që të shkonte në shtëpi dhe mos ta linte vetëm me babin.

Nëna e 6-vjeçares ka pranuar se e ka parë 27-vjeçarin që e ka goditur me thupër dhe e ka kafshuar të dëmtuarën, por në mënyrë të paqartë, thotë se ka menduar se ish-bashkëshorti e bënte këtë veprim ngaqë e kishte marrë malli.

Prokuroria e Tiranës mësohet se ka kërkuar ekspertim psiqik dhe analizat për përdorimin e mundshëm të drogës ndaj dy prindërve të 6-vjeçares.

Dhunimi i saj përveçse një nga ngjarjet e rënda të viteve të fundit në familje, duket se ngre pikëpyetje edhe për sistemin e referimit nga psikologët në shkolla, pasi vajza ka shfaqur shqetësime deri në të vjella gjatë frekuentimit të mësimit në klasën e parë.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj babait të dyshuar për dhunë pritet të zhvillohet të martën në Gjykatën e Tiranës.