Ndryshimi i Kushtetutës, Gjoni: Një kapriço e secilës palë për ta ndryshuar a thua se është një VKM
Opinionistja Edlira Gjoni mendon se ndryshimi i Kushtetutës është tronditës pasi një vend kaq i vogël nuk mundet të ndryshojë Kushtetutën kaq shpesh.
E ftuar në emisionin "Drejt" nga Luan Rama në RTV Ora Gjoni u shpreh se brenda një periudhe tranzitore nuk mund të bëhen gjithë këto ndryshime, pasi sipas saj vendi ynë është ende në tranzicion.
Gjoni: Po mundohem të kuptoj se cilat janë vendet e tjera që e kanë ndryshuar Kushtetutën kaq shpesh dhe përse. Sikur të ishin të tjerë njerëz ose sikur ne të ishim në të tjera kushte unë do thosha hajde ta besojmë këtë nismë të radhës. Por janë të njëjtët njerëz. Dhe ka shumë nga këta persona të njëjtë që e kanë ndryshuar herën e parë që do ta ndryshojnë dhe herën e gjashtë. Tani ose ka një mungesë të theksuar vullneti, ose ka disa lojëra që nuk i shërbejnë asnjërës palë dhe është një kapriço e secilës palë për ta marrë dhe ndryshuar Kushtetutën a thua se është një VKM.
Gjoni shtroi pyetjen se përse lihen kaq vakume ligjore sa të lindë nevoja çdo 5-6 vjet që të ndryshohet ligji themelor i një shteti.
Gjoni: Kjo shkon përtej logjikës së gjithkujt që është jashtë Parlamentit dhe jashtë politikës. Ne nuk e dimë si shkuam te nevoja për të ndryshuar Kushtetutën kur në këto 5 vite të gjithë peshqit e mëdhenj janë bërë peshkaqenë sepse kanë ikur nga sistemi i drejtësisë, por ndërkohë janë duke u marrë me të tjetra aktivitete që i bëjnë të kenë pushtet në mënyrën se si i imponohen politikës. Kjo e bën votuesin shqiptar akoma më konfuz se sa para zgjedhjeve të 25 prillit.
https://youtu.be/80gzVUcTVSI
