Ndryshimet kushtetuese, Kikia: Ka një lloj dëshire për protagonizëm, opozita po e nis nga lart pa pasur ide të qarta

Gazetari Mentor Kikia mendon se të treja ndryshimet e propozuara nga PD, reforma territoriale, vetingu i politikanëve dhe reforma zgjedhore janë thelbësore për funksionimin e shtetit, pushtetit dhe politikës.

I ftuar në emisionin "Drejt" nga Luan Rama në RTV ORa, Kikia mendon se ajo që  mungoi ishte një diskutim i gjerë.

Kikia: Kjo do duhej të shoqërohej me një diskutim të gjerë, me nxjerrjen e problemeve, me identifikimin e gjërave ku çaloi, çfarë nuk funksionoi kështu. Por kjo nuk mund të ndodhë kështu që një ditë të bukur del njëri nga PD me një dosje nën sqetull dhe shkon nga të çojë ca ndryshime kushtetuese në Kuvend. Kjo gjë nuk shkon, kështu nuk mund të bëhet.

Kikia më tej u shpreh se akti i ndryshimit të Kushtetutës që është vetëm një seancë votimi në Parlament është fundi.

Kikia: Këtu shkohet pasi i ke diskutuar të gjitha, ke arritur dakordësinë dhe pastaj te votimi shko. Nuk mund të shkosh direkt me idenë hajde të ndryshojmë Kushtetutën. Këtu ka një lloj dëshire për protagonizëm, pra ne do bëjmë opozitë të fortë në kushtet kur i duhet një lloj protagonizmi dhe si ta nisim? Po e nisim nga lart, nga gjëra të mëdha, hajde të ndryshojmë Kushtetutën.

Sipas Kikisë në dosje nuk ka as ide të qarta as argumente të mjaftueshme se pse duhen bërë ndryshimet.