Laç, vrajsa e ish-policit u filmua nga një kamera sigurie, autorët me maska anti-covid e kapele
Ekzekutorët e ish-policit Xhelal Reçi, në qytetin e Laçit mbeten të lirë në arrati.
Vrasja e shënuar mëngjesin e të hënës, pranë një biznesi të 61 vjeçarit është filmuar nga një kamera sigurie, por pamjet nuk i kanë dhënë shumë ndihmë grupit hetimor për identifikimin e autorëve.
Vrasësit e ish-policit, sipas burimeve mbanin në kokë kapele dhe fytyrën e kishin të mbuluar me maska anti kovid.
Burimet thonë se as në makinën që u përdor për krimin dhe më pas u dogj nuk janë gjetur prova që mund të hetimin tek persona të dyshuar.
Mjeti rezultoi se ishte i vjedhur rreth një muaj më parë në fshatin Mbrostar të Fierit dhe i ishin mbivendosur targa greke.
Brenda nuk u gjetën gjurmë armësh, çka tregon se autorët e morën me vete pistoletën me të cilën vranë ish-policin.
Zjarri ndërkohë ka zhdukur gjurmët dhe mbetjet e ADN-së së personave që ishin brenda mjetit, çka do të orientonte grupin hetimor drejt personave të dyshuar.
Megjithatë mësohet se materialet e marra nga aty do të dërgohen për ekspertizë të detajuar.
Në 24 orët e para që mund të jenë vendimtaret për grumbullimin e provave dhe orientimin e hetimit, në policinë e Lacit u morën në pyetje mbi 20 persona.
Kryesisht në cilësinë e dëshmitarit apo personit në dijeni ata kanë dhënë dëshmi që sipas burimeve nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për të shkuar drejt gjurmëve të autorëve. Ndaj të gjithë mësohet se janë lënë të lirë.
Paralelisht, policia lokale e ndihmuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle në disa zona të Kurbinit, por pa rezultat.
Hetimet për vrasjen e policit që merrej me biznes janë shtrirë në disa pista, por kryesorja mësohet se është ajo e konflikteve të tre djemve.
Besnik Reçi, që dyshohet i përfshirë në disa ngjarje në zonë i shpëtoi verën e kaluar një atentati ku u sulmua në Shëngjin me armë ndërsa udhëtonte në makinë me bashkëshorten dhe fëmijët e mitur.
Familja Reçi mësohet se ka pasur një konflikt edhe në fshatin Gjorm, por sipas burimeve ai ishte mbyllur sipas traditës.
Ekzekutorët dyshohet se e ndiqnin prej ditësh Xhelal Reçin dhe e qëlluan me dy plumba sapo ai zbriti nga makina në qendër të Laçit.
Me instiktin e ish-policit, 61 vjeçari tentoi të fshihet në një rrugicë, por një goditje në gjoks dhe një në bark rezultuan vdekjeprurëse.
