Vuante nga një sëmundje e rëndë/ Ndahet nga jeta në moshën 39-vjeçare Prokurorja e Elbasanit
Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare, prokurorja e Elbasanit, Erida Kokonozi.
39-vjeçarja ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.
Mësohet se e ndjera vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ka mundur ta fitojë betejën me të.
Si rrjedhojë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, nëpërmjet një njoftimi ka i shprehur ngushëllimet familjes, teksa deklaron se zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë dhe do kujtohet përherë me nderim.
"Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 39 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, të prokurores Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.
Zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë, e cila e ka nderuar figurën e prokurorit, duke treguar një shkallë të larte integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrës.
Komuniteti i prokurorëve do ta kujtojë znj. Kokonozi përherë me nderim, për kontributin e saj të çmuar në fushën e drejtësisë.
U shprehim ngushëllimet tona familjareve dhe të afërmve, për ndarjen e saj nga jeta", shkruhet në njoftim.

