“Mafia e inceneratorëve”, Bardhi: Lidhjet e Gjiknurit me bosët e plehrave, urgjencë që Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar

Partia demokratike ka vijuar edhe këtë të premte akuzat e saj për mafien e inceneratorëve të lidhur me krerët e qeverisë shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike  Gazment Bardhi deklaron se lidhjet e ish-ministrit Damian Gjiknurit, tashmë Sekretar i Përgjithshëm i PS-së me bosët e plehrave tregojnë  urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar.

Partia Demokratike këmbëngul në akuzat e saj për përfshirjen e ish-ministrit Damian Gjiknuri në afera me inceneratorët. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot Gjiknuri ka udhëtuar mbi 15 herë me bosët e plehrave jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave.

“Afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë. Ditën e djeshme Partia Demokratike zbuloi një tjetër zgjatim të kësaj afere të pisët, nëpërmjet faktimit të lidhjeve të ngushta të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, bosëve të inceneratorëve, dhe Damian Gjiknurit, i cili ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave. Ky konflikt i pastër interesi i shtohet numrit të madh të provave që Partia Demokratike ka grumbulluar vitet e fundit mbi këtë aferë që bën bashkë drejtuesit më të lartë të këtij pushteti të korruptuar, e sigurisht vet Edi Ramën, që ka promovuar dhe mbrojtur këto projekte që  shkrumbojnë vetëm taksat e qytetarëve," shprehet Bardhi.

Bardhi thekson se tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e saj mbi këtë aferë 400 milionëshe dhe se kjo tregon urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar dhe të largojë këtë regjim plaçkitësish.