Ujësjellësat si piramidë! Vlora kampione në humbje! Rama bën për ujë të ftohtë kryebashkiakët: Askush...
Kryeministri, Edi Rama, pas "dushit" për mbetjet ka thirrur në një takim të gjithë kryetarët e bashkive në vend për reformën në ujësjellësa.
Kreu i qeverisë nuk i ka kursyer akuzat duke theksuar se ndërmarrjet e ujësjellësave kanë kthyer në piramida që gllabërojnë para.
“Ne rrisim investimet, ju rrisni humbjet e qytetarët me të drejtë ankohen. Se rritja e investimeve nuk mund të përkthehet në rritje të humbjeve. Janë kompani e falimentuar si piramidë që vijon e merr para. Keqqeverisje ekstreme e këtij sektori”
Rama shigjetoi kryetarin e bashkisë së Vlorës si kampione me 78.9% humbje dhe të Kavajës me vetëm 31% arkëtime.
“Shuma që qeveria shqiptare me këto dy burime ka vënë në dispozicion të transformimit rrënjësor të sektorit të ujit është mbi 1 miliard euro. Që të jemi të saktë fare për mbi-në ajo është faktikisht 1 e afro 200 milionë euro."
1 mld euro investime qeveria bashkë me partnerët për të zgjidhur furnizimin por si mundet që të shkojnë tek qytetarët uji nëse humbjet në rrjet nga vjedhjet, mosarkëtimet dhe për arsye teknike shkojnë si në Vlorë gati 80 %. Si mundet? Është teorikisht e pamundur.
Si mundet këta drejtorë ujësjellësish të jenë ende në punë. Dhe numri i të punësuarve është sa një armatë e një shteti 10 herë më të madh se Shqipëria” u tha Rama kryebashkiakëve.
Teksa nënvizoi se drejtuesit e ujësjellësave në gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë si janë zgjedhur deri më tani, Rama tha se është e turpshme që disa e marrin rrogën dhe duke jetuar jashtë vendit dhe disa të tjerë shkojnë në punë vetëm për të bërë dëm.
"Duke paguar si punonjës ujësjellësash njerëz që nuk kanë lidhje fare me profilin, fare. Madje deri dhe njerëz që nuk janë fare në Shqipëri."
Kryeministri i vuri përpara faktit të kryer kryebashkiakët se qeveria qendrore do të ndërhyjë në situatën skandaloze që është me ujësjellësit në vend dhe u kërkoi atyre të mos pengojnë me argumentin se janë autonomë.
Tre pyetje për kryebashkiakët por që nuk kërkoi përgjigje
1- A jeni në dijeni të performancës së ujësjellës të kanalizimeve në bashkinë tuaj që ofrojnë qytearët
2- I keni parë raportet që ia jepni qeverisë dhe numrin e punonjësve. Janë përtej çdo lloj logjike
3- Sa fonde keni alokuar nga buxheti I bashkisë për furnizimin me ujë?
"Pyetjet janë retorike e faktet flasin vetë" tha Rama.
Kryeministri tha se nga java e ardhshme do të nisë puna për reformën rrënjësore të këtij sektori dhe për këtë do kërkojë dhe ndihmën e ndërkombëtarëve.
Madje ia bëri të qartë kryebashkiakëve të mos pengojnë reformën në emër të autonomisë.

