Bilanci/ Tërmeti që ra sot dëmtoi 16 shtëpi në Dibër
Dy lëkundje të forta tërmeti u ndjenë mëngjesin e sotëm, (29 tetor 2021) në vendin tonë. Lëkundja e parë ishte me magnitudë 3.3 të shkallës Rihter, ndërsa lëkundja e dytë 4.5.
Epiqendra ka qenë në fshatin Topojan në Bashkinë e Bulqizës, me një thellësi 10 kilometra.
Banorët dolën nga shtëpitë të frikësuar, ndërsa vërejtën të çara në mure e kolona.
"Dola nga shtëpia. Quhem Fitim Shehu. Ka prishur kolonën e cila nëse bie shembet shtëpia" thotë një banor i fshatit.
Nga tërmeti i rënë sot, ora 08:34, me epiqendër në qarkun Dibër, nga verifikimi në terren deri në orën 11.00, rezultoi se nga tërmeti, janë evidentuar disa banesa te dëmtuara pjesërisht dhe në strukturë.
Zyrtarët kanë dalë në terren për verifikimin e situatës pas një mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit të Emergjencave të Thirrut nga Prefekti
Emergjencat Civile pranë Prefekturës së Dibrës, në bazë të informacioneve të marra nga grupet e punës në terren njoftojnë se nga tërmeti i orës 08:34 janë evidentuar deri më tani 16 banesa të dëmtuara.
Situata eshte aktive
Deri ne mesditë u regjistruan 6 lëkundje të tjera nga Instituti i Gjeoshkencave, te gjitha me epiqendër 12 kilometra nga Bulqiza.
Sizmiologu Edmond Dushi, tha për RTV ORA, se tërmetet te tilla shkaktojnë dëme.
"Situata në verilindje është aktive në aspektin sizmik, kemi një aktivitet që ka filluar që dje rreth orës 17:00 dhe ka vijuar deri në mëngjesin e sotëm, me tërmetin e orës 08:10 sipas orës lokale. Deri tani kanë rënë rreth 9 tërmete."
Fshatrat ku jane demtuar shtepite
1. 5 banesa në njësinë administrative Fushë-Bulqizë
2. 3 banesa në njësinë administrative Ostren
3. 3 banesa në njësinë administrative Gjoric
4. 1 banesë në njësinë administrative Shupenzë
5. 1 banesë në njësinë administrative Bulqizë
6. 1 banesë në njësinë administrative Zerqan
"Puna po vijon për të identifikuar të gjitha pasojat. Ndërsa nga lëkundjet e orës 12:23 me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter me epiqender rreth njësisë Kastriot Dibër, nuk ka raportime për dëme në banesa, përveç 2 banesave të vjetra dhe të amortizuara, shoqëruar me çarje muresh" informoi ministria e Mbrojtjes rreth orës 14:50

Lëkundjet, sipas të dhënave të Qendrës Europiane Sizmiologjike jane ndjerë edhe në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Greqi


