Debat në Komisionin për "25 prillin", Xhaferraj-Naços: Ju keni pushtet, nga çfarë keni frikë që na pengoni të hetojmë?

Komisioni Hetimor për 25 prillin u shoqërua me debate edhe ditën e sotme. Mazhoranca në mbledhjen e fundit kërkoi që në rend dite të futej  shqyrtimi i rregullores së komisionit.

Ndërkohë ditën e sotme kjo kërkesë është pranuar nga kryetari i Komisionit Enkeljed Alibeaj, i cili vendosur që të fillojë shqyrtim i rregullores nga e para, ndonëse një gjë e tillë është kontestuar nga anëtarët e opozitës.

Xhaferraj i kërkoi kryetarit Alibeaj që ta drejtojë më me korrektësi Komisionin dhe t'ia japë fjalën në mënyrë të paanshme pasi sipas tij po favorizon mazhorancën.

Ndërkohë Xhaferraj ju drejtua me tone të ashpra edhe anëtarit të Komisionit, Nasip Naço duke e pyetur se nga çfarë ka frikë mazhoranca që nuk e lë opozitën të hetojë se si i fituan zgjedhjet.

Pjesë nga debati:

Qefalia: Duhet kalur për votim procesverbali i mbledhjes së kaluar, s’mund ta nisim kështu mbledhjen pa e ditur çfarë keni bërë..

Alibeaj: Unë  ju thashë se ka një ngërç të vogël, ju thashë se është mungesë subjektive e sekretarisë, janë vetëm kërkesa ato që janë paraqitur nga deputetët. Në rendin e ditës do të jetë miratimi i procesverbalit.

Naço: Unë jam shumë dashamirës por duke qenë se do vazhdojmë te pika e tretë që shqyrtimi i rregullores, por pa lexuar procesverbalin s’mund të hedh fall se çfarë keni diskutuar ju mbledhjen e kaluar, e keni futur komisionin në rreth vicioz.

Alibeaj: Unë e sqarova, ska si të ketë asnjë lloj vendimmarrjeje, jemi vetëm në konstatim veprimesh fizie. Është e udhës ajo që thoni që me ezaurimin e pikës së tretë në zgjedhjet e ardhshme të kalojnë në vendimmarrje.

Naço: Hiqeni nga rendi i ditës pikën 3.

Alibeaj: S’mund ta heqim pikën 3 që është shqyrtimi i rregullores së brendshme, duhet ta ezaurojmë si pikë.

Bardhi: Procesverbali i mbledhjes së kaluar duhet, por kjo është mungesë e administratës. Ata që zbardhin si japin shumë përparësi veprimtarisë së komisioneve hetimor. Për tu kthyer te thelbi i asaj që kërkon Naço, duhet të jemi serioz. Herën tjetër keni kërkuar që kryetari të fuste në rend shqyrtimin e rregullores, kurse sot kërkoni ta heqim nga rendi.

Naço: Ne bashkarisht e votuam në parim dhe kemi votuar deri te neni 4, ju  thoni kemi vajtur te neni 17. Meqë keni gabur hidheni në votim me atë që thotë zoti Bardhi. Ne kemi kërkuar që ti të jesh kryetar jo komentator. Ju thoni keni humbur zgjedhjet na i vodhët, ne jemi këtu dhe hajde tu tregojmë qytetarëve.

Ndërhyn Xhaferraj...

Alibeaj: Zoti Xhaferraj nuk ta dhashë fjalën, ju lutem fikeni. Zoti Xhaferraj më lër të bëjë detyrën. Ne kemi detyrim që të sqarojmë dhe publikun pa e kthyer në një debat me njëri-tjetrin. Qëndrimet tona janë këto që janë, secili deputet pretendimet do duhet që t'i vërtetojë dhe në fundi do ta tregojë.

Naço: Zoti kryetar është drafti që keni paraqitur ju.

Alibeaj: Jo pra, ka rënë.

Naço: Hidhe në votim ta rrëzojmë dhe vazhdojmë me amendamentet apo propozimet e zotit Bardhi. Pranojeni që keni gabuar dhe ta hedhim më votim.

Alibeaj: Zoti Naço meqë unë jam propozuesi e tërheqim dhe e lëmë hapësirën që ta fillojmë sipas një propozimi të bërë, përderisa nuk mori votën unë e tërheq, jemi në pikën për ta rihartuar pikën zero.

Xhaferraj: Faleminderit kryetar, por mua më vjen keq t'ju kujtoj që duhet të jeni më korrekt në drejtimin e Komisionit. Ka filluar mbledhja në orën 10:00 është ora 11:00 dhe nga kolegët e opozitës ka folur vetëm 3 minuta zoti Gaz Bardhi. Jemi 4 kolegë këtu dhe këtu ka folur vetëm zoti Bardi. E dyta do i lutesha zotit Naço kujdes me komentet, mos t'i paragjykojë gjërat. Ne e kemi pranuar që jemi në opozitë, ju keni fituar por në këtë Komision jemi me qëllimin të hetojmë si keni  fituar ju dhe pse jemi ne në opozitë. Nuk kuptoj një gjë, për çfarë keni frikë? Ju keni shtet, pushtet, institucionet, ato lokale, pse doni të na pengoni që të shkojmë t'i pyesim? Ju që keni fituar dhe i keni të gjitha nuk e kuptoj.

Alibeaj u shpreh se Komisioni është në fazat fillestare të hetimit dhe dihet qartë që qëndrimi i secilës palë.