Helmimi në Krujë, përgjigja e ISHP: Uji ka prezencë të bakterit Enterokok, përgjegjës ujësjellësi
Shkak i helmimit të rreth 500 qytetarëve të Krujës rezulton të jetë prania e bakterit “enterokok” në ujin e pijshëm.
Mbrëmjen e të enjtes ISHP ka publikuar përgjigjen e analizave duke sqaruar se ujërat sipërfaqësorë shkaktuar nga reshjet e ditëve të fundit janë përzier me ujin që qytetarët përdornin për konsum.
"Mendojmë që është një epidemi e shkaktuar nga uji si rezultat i ndotjes së ujërave sipërfaqësorë të shirave të rënë para 4-5 ditësh dhe që kanë bërë përzierjen me ujin e pijshëm të Ujësjellësit të Krujës," tha Ulqinaku.
Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik Dritan Ulqinaku tha se bakteri “enterokok” ishte i pranishëm vetëm në një pikë të shpërndarjes së ujit.
"Rezultatet e Institutit të Shëndetit Publik kanë ardhur pas ndërhyrjes që ka bërë vetë Ujësjellësi i Krujës, pas pastrimit dhe klorinimit," tha ai.
Ashtu si kryeministri një ditë më parë edhe Ulqinaku përgjegjësinë ja faturon Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Krujë.
"Besoj që përgjegjësia i bie Ujësjellësit të qytetit të Krujës. Duhet të kishin qenë shumë më të kujdesshëm për të ndaluar më shpejt në kohë, që me turbullirën e parë," shtoi Ulqinaku.
Analizat e ujit të pijshëm do të përsëriten edhe në ditët e ardhshme me synim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve ndërsa ISHP njofton se për të paktën një muaj do të jetë në monitorim të vazhdueshëm të situatës në Krujë.

