Hidhen në rrugë mbi 40 familje te "5 Maji", policia bashkiake u ndalon mbledhjen e hekurave: Do siguronim lekët për qira
Banorët e rrugës “5 Majit” në Tiranë po dalin të pastrehë pasi shtëpitë e tyre u shembën në kuadër të projektit të bashkisë së Tiranës për ndërtimin e pallateve ku do të strehohen të dëmtuarit nga tërmeti. Atyre u është shembur shtëpia ndërsa thonë se bashkia nuk u ka dhënë asnjë dokument.
"E kam pasur shtëpinë 2 kate, 200 metra objekt. Ka 35 vite që jetoj këtu," thotë një banor.
Projekti i rindërtimit në rrugën "5 Maji", po i lë banorët pa strehë.
Pas shembjes së banesave, disa janë akomoduar tek të afërmit e tyre e të tjerë kanë nisur të kërkojnë shtëpi me qira. Por në mesin e tyre ka të papunë, të sëmurë dhe të pamundur për të paguar qiranë.
"Kam 3 ditë që kam kërkuar shtëpi me qira dhe nuk kam gjetur. Kam gjetur një banesë, ai donte 3 muaj paradhënie, ku t'i gjej unë 900 mijë lekë për 3 muaj, 300 mijë lekë muaji. Çfarë të bëj, unë jam i sëmurë. Jam me zemër dhe për momentin nuk kam ku të shkoj. Më mirë të vras veten dhe e di që e mbyll jetën me kaq," thotë një banor.
"Janë duke na çuar në ekstrem, unë babin e kam të sëmurë në krevat dhe nënë e kam të sëmurë. Jam pa punë," thotë një banor tjetër.
I vetmi dokument që kanë parë për këtë çështje është një letër e marrë informalisht ku nuk është as çmimi as banesa që do të marrin.
"Unë dua diçka me vulë që të fle gjumë rehat. Këtu është shembur shtëpia dhe nuk kemi marrë asgjë," thotë banori.

Banorët thonë se Policia bashkiake i ka ndaluar të mbledhin edhe hekura me paratë e të cilave do të paguanin qiranë në kushtet kur nuk kanë marr as bonus.
"Po nxjerrim hekur për të siguruar të paktën qiranë e shtëpisë sepse bonus nuk po na japin. Vjen makina e bashkisë me dy policë dhe thotë këtu s'ke për të marrë asgjë se është projekt i bashkisë," shprehet banori.
Banorët në rrugën 5 Maji kërkojnë që çështja të zgjidhet në rrugë ligjore dhe me transparencë.
