Dhunoi qytetarin nga Elbasani, pezullohet nga detyra inspektori i Policisë në Lushnje

Është pezulluar nga detyra Inspektori i Policisë në Lushnje, pasi pak ditë më parë dhunoi barbarisht një qytetar nga Elbasani.

SHÇBA në një njoftim bën me dije se inspektori B.SH është pezulluar nga puna, pasi akuzohet për veprën penale “Kryerje e veprimeve arbitrare”, duke qenë se dhunoi shtetasin Amarildo Hoxha.

“SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, ka caktuar masën e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Lushnje, Inspektor B.SH.”-thuhet në njoftimin e SHÇBA.

Hoxha, i cili është një tregtar i fruta-perimeve nga Elbasani, pak ditë më parë tha se është dhunuar fizikisht nga efektivë të policisë së Lushnjes në rrethrrotullimin e Savrës.

Hoxha po udhëtonte me mjetin e tij tip "Furgon" nga Fieri në drejtim të Elbasanit ndërsa është ndaluar nga një postbllok poilicie i komisariatit të policisë Lushnje. Sipas Hoxhës, dy efektivët e policisë e kanë dhunuar fizikisht pasi ky i fundit në momentin e ndlimit ishte duke filmuar me telefonin e tij.