Bashkia merr sarajet historike, pronarët kundër kompensimit: E papranueshme, do të ndjekim ligjërisht çështjen
Banesa historike e Sarajeve të Tiranës, e cila prej vitesh i ka rezistuar kohës, tashmë në bazë në një vendimi të Këshillit të Ministrave i ka kaluar Bashkisë së Tiranës. Ndaj një pjesë e pronarëve e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke u shprehur se nuk kanë pasur bashkëbisedim më institucionet dhe çdo gjë do të ndiqet ligjërisht.
Disa nga pronarët e zonës së Sarajeve në kryeqytet kundërshtuan këtë të enjte vendimin e qeverisë për kalimin e Sarajeve në pronë të Bashkisë së Tiranës.
Pronarët pretendojnë se me ta nuk është konsultuar asnjë institucion, ku hedhin akuza se pas kësaj fshihet një aferë e madhe.
"Duhet të komunikojnë, nuk duhet dhënë në këtë formë, vër shiritin dhe mbaroi puna. Duhet të komunikojnë me ne, të na marrin mendimin. Jo të thonë mbaroi saga e Sarajeve, shtetëzim është ky."
Ata shprehin se çdo gjë do të ndiqet në rrugë ligjore.
"Sipas ligjit duhet të hapim gjyqin brenda 30 ditëve, dokumentat i kemi gati. Kemi mbledhur prova. Nuk është pronë që të vlerësohet duke e futur në vlerësimin mesatar me një apartament të Ministrisë së Jashtme."

Nga ana e Bashkisë, një pjese e pronarëve kërkojnë bashkëbisedim për sa i përket kushteve të kontratës.
"Procedura e shpronësimit do tre muaj të mbarojë, nuk ka mbaruar akoma. Kur kjo letër të shndërrohet në emrin e bashkisë, le të vijë. Nuk bëjnë më imediaten, një bashkëbisedim me bashkëpronarët."

Por vetëm disa minuta pasi kryebashkiaku Erion Veliaj shpërndau vendimin e qeverisë shqiptare, duke theksuar se nga kjo e enjte ndërtesa e Sarajeve të Toptanëve është pronë e Bashkisë së Tiranës, disa përfaqësues të Bashkisë u futën brenda sarajeve teksa një gjë e tillë është kundërshtuar nga pronarja.
"Unë jam pronare sot vëlla, dua të hyj brenda. Kush janë këto more? Policia e Shtetit nuk më mbron, i lë këta të hyjnë."
Mbrëmjen e së mërkurës policia bashkiake i rrethoi me forca të shumta Sarajet, duke mos lënë pronarët të futen brenda saj.
Po ashtu në muajin gusht një person i cili ende nuk është idetifikuar ja vendosi zjarrin pjesës hyrëse të kësaj banese historike.
Në atë kohë nga pronarët kishte akuza të shumta se ky sulm është sajuar në mënyrë që prona ti kalojë Bashkisë.


