“Me leje nga...” Pse u lejua shpërndarja e formularit “Prindi 1 dhe prindi 2” në kopshtet e Tiranës? (Dokumenti)

Publikimi i një formulari në rrjetet sociale dhe më pas në media ku fjala nënë dhe baba zëvendësohej me prindi 1 dhe prindi 2 ka shkaktuar sërish debat dhe reagime të shumta publike.

Formulari sipas dëshmive është shpërndarë në disa kopshte të Tiranës dhe bën fjalë për regjistrimin në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës.

Lidhur me këtë formular, përpos disa prindërve, pati një reagim edhe nga pastori Akil Pano i cili u shpreh se kjo gjë është bërë pa dijeninë e prindërve dhe në shkelje të plotë të ligjit.

“Agjenda Gay ka nisur zbatimin, qetësisht dhe në shkelje me Kodin e Familjes që është në fuqi në Shqipëri. Ky lloj imponimi është dhunë dhe është diktatura e minorancës mbi shumicën.” – shkruan ai.

Nga ana tjetër, lidhur me këtë çështje ka komentuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili kërkon që të “mos sajojmë drama nga hiçi”.

“Në kopshtet publike nuk lejohen njerëz të paautorizuar që të bëjnë iniciativa të tilla kështu që do duhet fillimisht të autorizohen nga bashkia e Tiranës, e pastaj mund të hyjnë. Kontrolli është shumë i rreptë në kopshte megjithatë prapë mendoj që duhet me pyetur ministrinë e Arsimit se nuk besoj që fëmijët që s’dinë shkrim e këndim 2-3 vjeç kanë plotësuar formularë.” – u shpreh Veliaj.

Ndërsa  Bashkia e Tiranës në një reagim zyrtar tha se përdorimi i këtij formulari në kopshtet dhe çerdhet publike është i pavërtetë, duke e shoqëruar edhe më një formular të tyre.

Ndërkohë, Ora News ka mundur që të sigurojë formularin e plotë dhe ka rritur të flasë me një prind, i cili ka marrë këtë formular në kopshtin nr. 31 në kryeqytet.

Prindi bëri me dije se formulari u jepet të gjithë prindërve që sillnin dhe merrnin fëmijët e tyre ditën e djeshme (27 nëntor 2021).

Prindi në fjalë ka kërkuar që të dijë se kush e ka bërë një dokument të tillë, edukatorët janë përgjigjur me ngritje supesh, duke mos pasur dijeni për origjinën e tij.

Nga ana tjetër edhe prindër të tjerë kanë pasur reagime për këtë çështje, ku gazetarja Ermelinda Hoxhaj shkruan se personi që ka shpërndarë këtë formular është shprehur se ka marrë leje te ministria e Shëndetësisë për një studim.

“Zonja qe ka shpërndare ketë pyetësor ne kopshtet dhe çerdhet e Tiranës lejen e ka marre ne Ministri te Shëndetësisë. Ishte individ pasi formularin po e bënte për një studim te vetin. Ne krye te formularin me sa unë e mbaj mend kishte me shkronja kapitale ASERA. Ne krye kishte një prindi 1/prindi 2, për te cilën i thashë 'refuzoj ta plotësoj'. Refuzova ta beja publike para dy javësh se e dija qe do dilnin te agjenda e LGBTI. Se këto debate u shërbejnë atyre se me demek ne po i dhunojmë. Familja është e shenjte. Po ashtu dhe nena e babai.” – shkruan Ermelinda Hoxhaj në rrjetet sociale.

Ajo që akoma mbetet mister në gjithë këtë histori është se cili apo cilët janë këta persona që kanë shpërndarë këtë formular në kopshtet e Tiranës dhe pse ka shpërndarë një formular me terma që akoma nuk njihen nga legjislacioni shqiptar në një institucion shtetëror!

Po ashtu mbetet mister nëse për shpërndarjen e një formulari me terma të tillë, Bashkia e Tiranës, ministria e Arsimit, zyra arsimore apo ndonjë institucion tjetër ka pasur zyrtarisht dijeni apo jo.

“Me leje nga...” Pse u lejua shpërndarja e formularit

“Me leje nga...” Pse u lejua shpërndarja e formularit