Malaj: Viti 2022 i vështirë, Rama flet për krizë, por edhe për satelitë, të ndalen PPP-të oligarkike
Për ish-ministrin e Financave Arben Malaj nga njëra anë shohim që Rama thotë se do të ketë një krizë, ndërsa ministrat dalin me optimizëm dhe thonë se do të jepet para për këtë apo atë.
Në një intervistë për gazetaren Besmira Pelushaj në RTV Ora, Malaj tha se viti 2022 parashikohet si një vit i vështirë që do të afektojë edhe vendin tonë dhe qeveria duhet të ulë shpenzimet dhe projektet oligarkike.
Malaj: Nga njëra anë shohim që Rama thotë se do të ketë një krizë, ndërsa ministrat dalin me optimizëm dhe thonë se do të jepet para për këtë apo atë. Qeveria duhet të komunikojë realisht me transparencë me taksapaguesit. Sepse viti 2022 parashikohet si një vit i vështirë që do të afektojë edhe vendin tonë. Kemi paqartësi nëse do të ketë valë pandemike dhe ka pasiguri për furnizimin me mallra dhe lëndë energjetike. Unë mendoj se është përgjegjësi morale dhe ligjore e mazhorancën që të komunikojë me taksapaguesit se do të jetë një vit i vështirë.
Është e vërtetë që janë rritur investimet, por janë rritur për shkak të borxhit, sepse investimet mesatare pa impaktin e tërmetit janë po aq sa kanë qenë historikisht. Ajo ideja që jemi në një vit të lumtur kur ka paralajmërime që viti tjetër do të jetë i vështirë, dhe ku mund të ndodhë që të mos ketë punësime dhe investime. Qeveria duhet të bëjë maksimunin për të menaxhuar impaktin e krizave. Të mundohet që të menaxhojë çdo qindarkë jo të vazhdohet me projektet e mëdha që dashka Shqipëria që të çojë satelitë në orbitë dhe të vazhdojë me projekte oligarkike.
Malaj shtoi se këshillohet shumë që ministritë e Financave dhe Bankat Qendrore të komunikojnë në mënyrë lehtësuese me taksapaguesit dhe të mos i fshehin gjëra e shqetësimet që kanë.
Malaj: Nga përvoja ime, këshillohet shumë që ministritë e Financave dhe Bankat Qendrore të komunikojnë në mënyrë lehtësuese me taksapaguersit dhe të mos i fshehin gjëra e shqetësimet që kanë. Nuk mund të themi shqiptarëve që nuk do të ngremë çmimet për shtrenjta në nevojë dhe do të ketë furnizim 100%. Subvencionimi nuk duhet të përballohet me rritje të borxhit se do të paguhet nga taksat, por me shkurtimin e investimeve dhe shpenzimeve abuzive, me risk të lartë korrupsioni.
