Helmimi masiv në Krujë/ 500 persona në Spital nga e diela, qyteti ende pa ujë të pijshëm

Pesë ditë pas ndotjes së ujit të pijshëm, banorë të Krujës vijojnë ti drejtohen spitalit për ndihmë mjekësor me shenja helmimi.Një pjesë e të cilëve për herë të dytë.

Sipas drejtores së Spitalit Lokal rreth 500 persona janë paraqitur në Spital nga e diela me shenja helmimi, një pjesë e të cilëve fëmijë.

"Nga fillimi deri më sot janë 500 persona, nga të cilët 150 fëmijë dhe 350 të rritur. Ky është rasti i parë i helmimit në këto përmasa. Nuk ka pasur raste të tilla më parë."

Uji i pijshëm në Krujë, rezultoi me ngarkesë bakteriale të Escherichia Coli dhe Streptokokut fekal, pasi u ndot në depozita kryesore e ujësjellësit dhe më pas u shpërnda në rrjetin shpërndarës.

Depozita është dezinfektuar këtë mëngjes, por ende nuk vendimmarrje për nisjen e furnizimit me ujë.

Bashkia e Krujës thotë se ka marrë masa për shpërndarjen e ujit të pijshëm me bote, por banorët e Krujës kanë ngritur shqetësimin se asnjë institucion nuk u është gjendur pranë gjatë këtyre ditëve të helmimit masiv.

Prokuroria e Krujës në kuadër të hetimit për të zbuluar fajtorin për helmimin masiv të banorëve të Krujës mësohet se ka marrë në pyetje drejtues të ujësjellësit dhe ka sekuestruar disa dokumente.