"Largoni stanet të shpëtojë Kruja"

Në ditën e pestë të helmimit masiv të banorëve të Krujës edhe pse uji i ndotur me fekale është ndërprere, raste të reja u paraqitën në Spital.

"Kam ardhur sot në spital."

Fluksi i qytetarëve ishte i lartë edhe të enjten, ku një pjesë kërkuan ndihmë mjekësore për të dytën herë.

Sipas qëndrimit zyrtar të Spitalit numri i të helmuarve të dyshuar nga uji shkoi në 500, ku një pjesë e mirë ishin fëmijë.

"Nga fillimi deri më sot janë rreth 500 persona nga të cilët 150 fëmijë dhe 350 të rritur."

Të shumtë janë krutanët që po përballen me pasojat e helmimit në shtëpi dhe ende nuk e kanë marrë veten.

"Për të pirë e kemi blerë."

Oborret e mbushur me kova e bidonë dhe enët e palara në lavamanë tregojnë krizën e ujit që po kalon qyteti.

"Nuk kemi ujë fare."

Në pritje të analizave për ndotësin nga Instituti i Shëndetit Publik, është bërë dezinfektimi i depos kryesore, por nuk dijet se kur uji që do të rrjedhë në çezmat e krutanëve do të jetë i pijshëm.

"E kemi mbushur atje poshtë, me shpenzimet tona se shtëpia do ujë."

Bashkia e Krujës e drejtuar nga socialisti Artur Bushi që nuk u pa në asnjë moment në krye të menaxhimit të situatës, lajmëroi se kishte shpërndarë ujë me bote, por banorët në masë thonë se ujin po e blejnë.

"E bleva 2 mijë lekë, s'na dha bashkia ujë."

Analizat e para treguan se uji i pijshëm që helmoi Krujën kishte përmbajtje të lartë amoniaku, ngarkesë bakteriale të esheria koli dhe streptokokut fekal.

Dyshimet janë se faktorët ndotës erdhën nga një stan që ndodhet mbi ujëmbledhësin e ri, i cili sipas ekspertëve gjeologë duhet të zhvendoset dhe zona duhet pastruar në mënyrë që situata mos përsëritet.

"Te burimet që merret uji i Krujës, baseni ujëmbledhës duhet apstruar nga çdo gjë."

Prokuroria e Krujës ndërkohë në kuadër të hetimeve për të zbuluar fajtorin për helmimin e banorëve mësohet se ka marrë në pyetje drejtues të Ujësjellësit dhe ka sekuestruar dokumente.