Eksperti: Fëmijët e varfër përbuzen, gazetarja: Minorenët zgjedhin emigrimin për shkak të varfërisë

Shqipëria është vendi me numrin më të lartë të fëmijëve në varfëri në Europë e në Ballkanin Perëndimor. Ky është rezultati i raportit të publikuar të mërkurën (27 tetor) nga Save the Children për 2020.

Në lidhje me këtë eksperti Kastriot Sulka, shprehet se vendi ynë është në nivelin më të lartë të varfërisë dhe për rrjedhojë edhe  fëmijët e familjeve që jetojnë në varfëri përballen me të njëjtat.

Në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, ndër të tjera thotë se fëmijët ndihen edhe në presion kur shohin se familjet e tyre vuajnë nga varfëria.

Kastriot Sulka: Ne jemi me nivelin më të lartë të varfërisë, është normale që edhe fëmijët e këtyre familjeve që jetojnë në varfëri të vuajnë të njëjtat pasoja. Këta fëmijë do të jenë me një model të ngjashëm në epokën e tyre për të ndërtuar një skemë ekonomike. Nuk mund të presim dot nëse nuk kemi investuar në sistemin arsimor që këta fëmijë të ndjekin dhe shkollën. Duhet një skemë e fuqishme që duhet të mbështesë dhe t’i nxjerrë nga detyrimi familjarë për të mos shkuar në shkollë. Këta janë një lloj presioni.

Sulka është shprehur se përveç bullizmit fëmijët e varfër edhe përbuzen.

Kastriot Sulka: Më shumë se sa bullizmi unë do e konsideroja përbuzje, këto ndodhin gjithmonë në periferi. Për rrjedhojë edhe njerëzit që administrojnë këto lloj komunitetesh kanë përbuzje.

Ndërkohë nga ana tjetër gazetarja Alba Kepi, është shprehur se fëmijët shqiptarë për t’iu larguar varfërisë zgjedhin rrugën emigrimit.

Në bazë të një raporti, Kepi shprehet se brenda muajit shtator në Itali kanë hyrë 249 minoren.

Alba Kepi: Nga dta 1 shtator deri në datën 30 shtator 2021 në territorin italian kanë hyrë 249 minorenë shqiptarë të pa shoqëruar. Janë gjurmuar nga autoritetet italiane, ku 15 prej tyre kanë hyrë në pikat kufitare kurse 234 janë kapur në territorin kombëtar. Janë kryesisht të moshës 16-17 vjeç. Këtë e bëjnë pikërisht për të marrë lejet e qëndrimit, për nivelin e lartë të varfërisë në Shqipëri dhe me qëllimin për t’u punësuar dhe për t’u shkolluar. Ka një strukturë të caktuar për të administruar dhe strehuar këta minorenë

Intervistoi gazetarja Sonila Musai, përgatiti për online Anila Kolgjini.