Miratohet Eurobondi 700 milionë euro, do të përdoret për borxhet e vjetra

Projektligji që i jep të drejtë qeverisë shqiptare për të kërkuar hua deri në 700 milionë euro ka sjellë jo vetëm debat por dhe akuza të drejtpërdrejta në Parlament. Ministrja Delina Ibrahimaj në mbrojtje të eurobondit sqaron në parim se ku do të shpërndahet ky fond.

"Financimi i siguruar nga Eurobond do të përdoret për mbështetje të përgjithshme buxhetore e cila do të alokohet në shpenzime publike, në sektorë kyç si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe infrastruktura," tha Ibrahimaj.

Eurobondi do të jetë nga 700 milionë euro dhe me një afat maturimi nga 7 deri në 10 vite.

Shqipëria do të hyjë në tregjet ndërkombëtare në muajin nëntor, por për opozitën përmes tij do të sponsorizohen, kontratat korruptive.

Tabaku: Një gjë është e qartë. Po marrim borxh që të ulim borxhin. Borxhi sot nuk po shkon në ekonomi, borxhi po merret për të mbuluar gropat e buxhetit, kontratat korruptive. Buxheti i shtetit ndryshohet si fletore bakalli sa herë kanë nevojë.

Edhe deputetët e LSI, deklarohen kundër nismës. 

Vasili: Ne po e rëndojmë dhe po e dërrmojmë ekonominë e këtij vendi me borxh pas borxhi. Do votojmë kundër eurobondit, kemi argumente te forta parimore. 

Por debati parimor vijoi dhe me akuza të rënda. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi në fjalën e tij theksoi lidhjet mes Damian Gjiknurit dhe inceneratorët.

Bardhi tha se ai ka udhëtuar disa herë drejt Maltës me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zotin, ndërsa e pyeti nëse ka llogari të fshehur atje apo një shtëpi në emër të mafiozëve.

Numri dy i PS ka pranuar një vizitë zyrtare në Maltë në vitin 2017, por mohoi çdo lidhje tjetër.

Gjiknuri: Po gjete më shumë se një udhëtim iki unë nga kjo sallë. Një udhëtim e kam bërë, por gjej të dytin. Nëse nuk e gjen ti duhet të japësh dorëheqjen, ose iki unë ose ikën ti.

Përgjigjja e Sekretarit të PD, Gazment Bardhit nuk vonoi.

Bardhi: Bën mirë të mos flasësh shumë se mund të të përdoren si të dhëna publike kur të merresh në pyetje dhe bën mirë që të gjesh ndonjë avokat shumë të mirë.