Shehi mërzitet nga cirku Rama-Basha: Edhe unë jam llafazan por ka kufi! E qetëson Nikolla: Edhe 100!

Deputeti, Dashamir Shehi, nuk e fshehu irritimin nga zaptimi i foltores për orë të tëra nga krerët e dy partive më të mëdha në vend.

Duke nënvizuar se çdo gjë e ka një kufi, ai kujtoi se Parlamenti është i 140 të zgjedhurve nga populli dhe jo i dy apo tre vetëve.

Shehi: Unë s’mund t’ju jap mend, por një këshillë të vogël, kemi gjithë mëngjesin këtu që kryetari i opozitës me kryeministrin bëjnë replikë këtu. Bëjnë shumë mirë por s’mund të jetë pafund kjo se ky nuk është dialog pastaj, jo më parlament. Unë e kuptoj dëshirën që kanë për të folur, absolutisht, edhe unë jam pak llafazan por ka një kufi. E drejta është që atyre zotërinjve t’u japim fjalën të flasin sa të duan jo pafundësisht këtu. Këtu ka njerëz që ka edhe hapësira të tjera kush e pengoi kryeministrin të flasë? Një ditë në javë mblidhemi këtu, na kanë votuar 140 për të dhënë nga një mendim se po qe për 2 vetë kjo punë hajde ta mbyllim e ikim gjithëseskush. Se do ta zhvlerësoj politkisht e moralisht këtë lloj salle që nuk është e dy vetëve as e tre vetëve, por e gjithë shqiptarëve kemi të drejtë të flasim të gjithë të japim ide. Mos ofendohet askush këtu se përfaqësoj këtu një ide që është nga të gjithë palët se të gjithë e kuptojnë që kjo punë po teprohet javë për javë.

Shqetësim pati edhe për eurobondin. Sipas tij, nëse  qeveria nuk e shlyen dot borxhin që merr do jetë e detyruar ta shlyejë në tavolinën e negociatave ndërkombëtare.

Shehi: Shumë njerë i kam dëgjuar që shohin ëndrra me sy hapur do na e falin borxhin, ia falën Greqisë, ç’e gjeti Jugosllavine nga këto teoritë që i thonë kokëboshët e ekonomisë.Borxhi është borxh, një vend që është borxhli është peng për shumë gjëra, nëse ‘s'do e shlyejë ekonomikisht do e shlyejë politikisht duke dorëzuar disa nga sovranitetet e veta, në tavolinën e negociatave ndërkombëtare. Ndaj borxhi do marrë me kujdes, do treguar sa është marrë. Duam të dimë ku po shkojnë parët e borxhit. Marrim 500-700 milion dhe nuk tregojmë si do ndahen. Borxh po por sa më të lirë, të mbajë ekuilibrat mes borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, valutës dhe monedhës vendase, borxh që është transparent dhe e dimë ku shkojmë. Kjo qeveri mund ta mbarojë mandatin pas katër vioteve, uroj shumë më përpara, por do  ja lërë qeverisë tjetër. Borxhi është i shqiptarëve, i marrim borxh kalamajve tanë.

Ndërsa linte foltoren, kryetarja e Kuyvendit Nikolla i uroi ditëlindjen.

Nikolla: Përfitoj nga rasti të uroj ditëlindjen, edhe 100 zoti Shehaj.