Sekretarët përplasen për inceneratorët, Bardhi: Ke 15 udhëtime me pronarët, gjej avokat; Gjiknuri: Provoje, o unë o ti në Kuvend!

Inceneratorët për të cilët Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor ka përplasur në deklarata dy Sekretarët e Përgjithshëm të PD-së dhe PS-së.

Gazment Bardhi i PD-së e akuzoi Gjiknurin se gjatë kohës së tij si Ministër i Energjitikës ka bërë 15 udhëtime me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, duke aluaduar për një aferë të mundshme.

Ai mandje e pyeti dhe nëse ka një llogari të fshehtë në Maltë.

Në përgjigje të akuzave, Gjiknuri deklaroi se nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e Bardhit dhe e sfidoi atë se nëse faktohet më shumë se një udhëtim i pretenduar, në sallë do të duhet të qëndrojë njëri prej tyre.

Gjiknuri: Nuk doja ta merrja fjalën, por dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike. Ti Gaz aq e ke, maksimumi do rrish te hija e tij, e do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd mbi shpije. Nëse gjen që unë e kam vizituar atë, vetëm njëherë si ministër, po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë. Nëse gjen dy udhëtime të mija në Maltë, dil këtu e thuaji, ndryshe o unë, o ti në këtë sallë.

Bardhi: Në fakt prisja të shpjegoje këto udhëtimet me mafiozët e inceneratorëve. Prisja përgjigje për pyetjen a ke apo jo llogari të fshehtë në Maltë? Prisja të përgjigjeshe a ke apo jo shtëpi të fshehur nën emrin e ndonjërit prej miqve të tu? I kanë marrë 400 milionë euro shqiptarëve, këta që udhëton ti me charter, me jaht, me anije, me avion, me makinë. Këta…po, po.

Gjiknuri: Ma gjej.

Bardhi: Ta gjej unë, TIMS-i.

Gjiknuri: E njoh që në shkollë atë.

Bardhi: Shumë mirë që e njeh që në shkollë. Bën mirë të mos flasësh shumë se mund të të përdoren si të dhëna publike kur të thërrasin për dhënë sqarime për këtë çështje.  Dhe bën mirë që të gjesh ndonjë avokat të mirë.