"Të kam dashur, të dua dhe do të dua", Rama i shpreh dashurinë Bashës: Duhet të rilindësh, ne e dimë si bëhet
Lulzim Basha nga foltorja e pyeti Edi Ramën nëse e ka marrë malli për Sali Berishën, pasi kryeministri e ngacmoi për krizën brenda partisë.
Por Rama tha se nuk është qëllimi i tij të mbajë me gajret Foltoren, ndërsa lidhur me llumin e tranzicionit i kujtoi që është pjellë e tij.
Rama: Më flet mua për llumin e tranzicionit dhe tani ke filluar dhe këtë fjalinë e bukur që "edhe PD ka pjesën e vet të llumit." O Lulzim, nëse PD ka pjesën e vet të llumit, ajo të ka nxjerrë ty. Je pjella më e brilantinosur e atij llumi. Kujdes! Se kam fare unë të mbaj me gajret Foltoren, Foltorja është gajreti i Shqipërisë, përveç atyre që janë të përfshirë dhe u duket sikur kanë hyrë në karvanin e bacës Isa me axhën Ismail dhe do çlirojnë prapë Shqipërinë nga perandoria amerikane, ata janë në karvan dhe do dalin me të. Mos i sill këtu sot, mos e ço gjuhën ku të dhemb dhëmbi ty. Rrotulloe në një mënyrë që mos të shkojë atje.
Edhe përbetimin e Bashës se do të ketë atë përballë si kryetar i PD dhe jo Sali Berishën, Rama e pritime shumë gëzim.
Rama: Kur thua do nuk do, do më kesh ty përballë. Unë ty të dua përballë gjithmonë, të kam dashur, të dua dhe do të dua dhe nuk di si të ndihmoj realisht. Nuk e kam cinike këtë por për të ngritur në një tjetër nivel tjetër debatin. Vjen këtu duke lexuar abetaren që të ka mësuar ai llumi nga i cili tai po na distancohesh. Nuk bëhet distancimi nga llumi duke qenë zgjatim i tij, trego që nuk je, mos shpif, mos shaj dhe mos merr njerëz në gojë si llumi. Mos ji karikatura e llumit. Ti ke sfidën më të madhe jo PD. Duhet të provosh që megjithëse ai llum të nxori në krye, ti je tani diçka tjetër.
Por që të ndodhë kjo, Rama tha se Bashës i duhet të rilindë.
Rama: Ti duhet të rilindësh, ne dimë sesi shkohet drejt rilindjes. Na dëgjo, ki besim dhe ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Ka plot fakte. Nëse me thua që plehrat duhet ti lëmë rrugëve nuk jam dakord me ty, duhet ti mbledhim në pikat e grumbullimit. Nuk është kjo alternativa. Ashtu siç nuk është alternativa të përdorësh burime, FMN nuk ka lidhje me raportimin e vdekjeve, nuk i raporton ai. Është tjetër institucion. FMN ka thënë se ekonomia ka treguar qëndrueshmëri të qëndrueshme. Mblidh burimet, shtrëngohu, fokusohu.
Për vettingun në politikë, Rama i premtoi votën e maxhorancës nëse nisma nuk mban erë "Foltore".
Rama: Sa për sfidën e madhe që bën ti nuk dua të bëj komente, ta kuptoj ku e ke hallin me vettingun tënd, është gjetje e lodhur se nuk ta beson njeri ty. Hajde ta diskutojmë siç meriton të diskutohet, me ekspertët tuaj dhe ekspertët tanë, ku doni me dalë, si doni ta bëni, mbi cilat praktika të mira ndërkombëtare bazohet, në cilat vende ka treguar se ka sukses, çfarë thonë partnerët tanë për këtë punë, çfarë thonë institucionet. Nëse ne na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin patjetër që do ta votojmë. Nëse na rezulton se është një komardare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni ne do të themi Lulzim vazhdo vëlla bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i foltores, nuk është puna jonë. Ta ndajmë këtë. Ju keni ekspertë plot, ne kemi disa. E shohim, e diskutojmë. Patjetër, çdo gjë që i shërben interesit të përbashkët të vendit ne na keni pro, çdo gjë që mban era foltore ne na keni kundër.

