"Vetëm e vërteta shëron", Dule për Kacifas: Të besojmë prokurorinë në zyrë, apo policinë që ishte në vrasje?

Kryetari i PBDNJ-së, deputeti Vangjel Dule  i gjen me vend kundërshtitë e familjarëve  të Kostandin Kacifas mbi raportin e prokurorisë e cila ka dalë në konkluzionin se ai është vetëvrarë.

Sipas tij, edhe sot tre vite pas vrasjes së tij, nuk ka një raport zyrtar çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur.

Raportit të prokurorisë ai i përgjigjet me raportin e policisë fill pas ngjarjes.

Dule: Prej ditës së ndodhisë tragjike të vrasjes së Kacifas janë shprehur dhe do vazhdoj të shprehem qartësisht. Është vetëm e vërteta ajo që shëron dhe e vërteta nuk na është treguar. Çdo truk që përdoret si nga prokurorë, media, nuk ka asnjë fat veç të vërtetës. Nuk kemi precedent tjetër në vendin tonë ku të kemi një vdekje dhe pas tre vitesh të mos kemi një raport zyrtar çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Ju thoni se prokuroria thotë se është vetëvrarë, unë po ju them se në deklaratën zyrtare të policisë së shtetit ditën e ngjarjes tragjike që tha është vrarë nga RENEA. Kë duhet të besoj, dikë që e studion nga zyra e prokurorisë apo dikush që ishte pjesëtar në vrasjen e asaj dite. Të mos shpërndahemi në lajme që nuk kanë lidhje me të vërtetën por që kanë si objekt vetëm propagandën dhe konfuzionin. Vetëm e vërteta shëron.

Deklaratat ai i bëri pas ceremonisë në Bularat ku u përkujtua në varrezat greke festa kombëtare e "JO-së".

Ceremonia kaloi e qetë dhe pa incidente, nedërsa prej orëve të pëara të mëngjesit policia rrugore blindoi aksin nacional Kakavijë-Gjirokastër.