Ulja e TVSh-së për shportën ushqimore, Shehi mendon ndryshe nga Basha: Tregu të bëjë punën e vet

Partia Demokratike do të depozitojë nesër projektiligjin për uljen e TVSH-së nga 20 në 6%. Kreu i LZHK-së, njëherësh deputet në listat e PD-së, Dashamir Shehi, thotë se nuk është partizan i kësaj ideje.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, Shehi thotë se do ta shohë propozimin në detaje por sjell në vëmendje se nisma të tilla janë marrë në të shkuarën dhe nuk kanë dhënë rezultat.

Shehi: Unë mendoj se duhet të gjejmë disa forma të tjera të mbajtur nën kontroll çmimet. Disa vende e kanë bërë këtë me TVSH-në, por mendoj se është një temë që ha diskutim. Po u ça gardhi i TVSH-së krijohet një precedent negativ dhe fillojnë që taksat të mos mblidhen.

Ky është mendimi im personal, brenda PD mund të ketë ekspertë më të mirë sesa unë. Pjesë e opozitës dhe jap mendimin tim  por nuk është e thënë të biem të gjithë në një mendje, aq më tepër kur nuk na pyesin, nuk është rezultat i një vendi kolegjial. I kemi provuar disa herë këtë uljen e TVSH-së dhe eksperienca nuk ka qenë e mirë. Do ta shoh, nuk e paragjykoj.Por nuk pranoj mendime kapitale se kjo është rruga e mirë, kjo është rruga e vetme dhe nuk ka alternativa të tjera.

Ndaj ai ka një tjetër propozim.

Shehi: Unë do të doja një formë tjetër, ku do të identifikoja disa produkte të shportës dhe do të subvencionoja ata që janë më në risk dhe do të lija tregun që të bënte punën e vet.