Ndryshimet në polici, Hajdarmataj: Nano të njëjtin gabim si Veliu, puna në polici s’bëhet me fushata
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme Vlorës, ku një 39-vjeçar ka qëlluar me armë gjahu xhaxhin e tij dhe më pas, ka qëlluar për vdekje edhe veten.
Ish drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj, në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, është shprehur Vlora është një nga qytetet kriminalitetin më të lartë të vendit, dhe sipas tij ngjarja e fundit tregon "në njëjtën amulli përsa i përket rendit dhe qetësisë.”
Arben Hajdarmataj: Qyteti i Vlorës është një ndër qytetet më problematike për vetë faktin se ne akoma kemi mbi dhjetëra persona të zhdukur dhe nuk kemi asnjë zbardhje të kësaj situate. Është një qytete me kriminalitetin më të lartë të vendit. Ngjarja e fundit tregon se jemi në të njëjtën amulli përsa i përket rendit dhe qetësisë.
Për ndryshimet në polici, Hajdarmataj, shprehet se ka një shpresë në këtë strukturë, por megjithatë për të mbetet dyshim mënyra e lëvizjeve në një kohë kaq të shkurtër.
Ai tha se puna në policinë e shtetit nuk bëhet me fushata dhe me urdhra por fillimisht duhet të analizohet situata.
Lëvizjet që bëri Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, Hajdarmataj i ka konsideruar të njëjta me ato që ka bërë dhe ish-drejtuesi i policisë, Ardi Veliu.
Arben Hajdarmataj: Ndryshimet në polici kanë një shpresë, por mënyra sesi servilet më lë të kem dyshimet e mia në lidhje me këtë. Nuk e paragjykoj Nanon, por ra në të njëjtin gabim si ai i Veliut. Puna në policinë e shtetit nuk bëhet me fushata dhe me urdhra, duhet të vlerësohet dinamika, duhet vlerësuar analiza dhe më pas fillohet dhe lëvizin njerëzit. Nuk mund të lëvizësh të gjithë drejtorët e policisë brenda tre ditëve. Duhet të bëhet analiza. Këto lëvizja janë më shumë mediatike.
Duke u rikthyer sërish te situata në Vlorë, ai tha se policia në Vlorë duhet ta analizojë situatën si dhe të krijojë strategji për të rikthyer besimin tek qytetarët.
Arben Hajdarmataj: Unë mendoj se drejtuesi i ri në Vlorë, duhet të ketë në fokus një analizë të thellë të situatës kriminale në Vlorë. Problemi është që njerëzit të ndihen të sigurt. Duhet të ndërtojë një strategji për rritjen e besueshmërisë tek qytetarët dhe brenda strukturës.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
