Kurbini “toksik”, landfilli ilegal tre ditë në flakë, tymi zi mbulon qytetin

Ajri në Kurbin është toksik prej tre ditësh, si pasojë e gazrave që çlirohen nga djegia e fushës ilegale të mbetjeve mbi kodrat e qytetit. Flakët vijojnë nga e shtuna, duke krijuar ndotje alarmante dhe rrezik për shendetin e banorëve.

Kjo është pamja e Laçit dhe zonave përreth prej mëngjesit të së shtunës, kur vendepozitimi ilegal i mbetjeve u përfshi nga flakët.

Tymi i zi toksik i çliruar nga djegia e mbeturinave plastike e materialeve të tjera mbulon zonën ku ndotja është alarmante dhe e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

"Shumë dëm, kur fryn veriu Laçi bëhet mjegull, të gjithë sëmuren."

"Na u mor fryma pa pas atë ndotje. Nuk  merret asnjë masë, nuk vjen era shtet fare."

Fusha ku për vite me radhë janë grumbulluar mbetjet e bashkisë vijoi të digjej edhe këtë të hënë, duke prodhuar ndotje e substance kancerogjene në ajër!

Pas tre ditëve në prag të emergjencës, drejtuesit e bashkisë Kurbin theksuan se të paktën nuk rrezikohen më banesa dhe kurora e gjelbër e qytetit.

"Mbetjet urbane të premten në darkë u vendosen zjarrin, nuk rrezikon kurora dhe as banesat përreth. Besoj se shumë shpejt do të përfundojë ky proces."

Ish-fusha e mbetjeve në Laç u përfshi nga flakët mesnatën e së premtes, vetëm disa orë pasi kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër kryetarët e bashkive për pastrimin e territorit.

Zyrtarisht vendgrumbullimi është mbyllur prej 18 muajsh, kohë që bashkia e Kurbinit i depoziton mbetjet në landfillin e Bushatit.