Debate në selinë blu/ Alizoti: Të zgjidhim krizën në PD ose Rama mbretëron! Basha: Qytetarët kanë halle, s'duan t'ja dinë

Edhe mbledhja e të hënës e grupit parlamentar të PD-së u shoqërua me debate të forta mes deputetëve dhe kryetarit Basha.

Këtë herë ishte Tomor Alizoti që i tërhoqi vëmendjen Lulzim Bashës, duke kërkuar zgjidhjen e krizës që ka përfshirë Partinë Demokratike.

Alizoti: Z. kryetar, Partia Demokratike është në një situatë të vështirë, demokratët janë në një situatë të vështirë, militantët janë futur në një hall të madh. Unë s'mund të sillem sikur këtë gjë nuk e shikoj. Ka një krizë në PD, dhe kjo krizë duhet zgjidhur, ndryshe Rama do të kthehet në një mbret të shqiptarëve. Nuk diskutoj këtu cili ka të drejtë dhe cili jo, jam këtu për të thënë që ka një krizë, dhe ne duhet ta pranojmë, nuk duhet ta anashkalojmë, por duhet t'i japim zgjidhje. Nuk bëj pjesë në asnjë palë. Me intereson partia të cilën e kam ndjekur që në moshë të re. Më interesojnë demokratët, më intereson PD.

Në përgjigje të tij Basha tha se prioritet për të nuk janë konfliktet e brendshme por problemet e qytetarëve.

Basha: Qytetarët janë me halle. S'duan të dinë për Bashën e Berishën. Askujt nuk i kam thënë apo urdhëruar të jetë apo të mos jetë në aktivitetet e Berishës. Përkundrazi, kam pafund sms që nga ana tjetër janë presionuar. Kryetar degësh dhe deputetë janë kërkuar që të jenë në foltore. Të thotë njeri këtu që unë i kam kërkuar të mos shkojë në takimet e Berishës. Një të më thotë!

Pas përfundimit të mbledhjes, Flamur Noka tha se situata në të cilën ndodhet PD do të marrë zgjidhje me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Noka: Berisha e ka bërë me dije se shumë shpejt do të mblidhemi për të vendosur për datën. E rëndësishme është që Kuvendi do të mblidhet, siç ju bë me dije sot dhe zotit Basha, për të kthyer ligjshmërinë, për të diskutuar statutin, për ti dhënë zgjidhje, frymëmarrje dhe forcë PD. Është Kuvendi i PD, as i zotit Basha, as i zotit Noka dhe askujt tjetër. Kuvendi është i PD dhe do të mblidhet dhe askush nuk ka forcë ta ndalojë mbledhjen e Kuvendit përveç sovranit që janë delegatët, të cilët kanë firmosur.

Akuzave Lulzim Basha ju përgjigj e pak fjalë.

Basha: Mbi interesat e gjithkujt është ai i shqiptarëve, PD do i shërbej këtyre interesave, demokratët mish për top nuk i përdor dot askush.

Në mbledhjen e grupit parlamentar demokratët diskutuan dhe për projektligjin për uiljen e TVSH nga 20 në 6% që do të depozitohet të martën në Kvend.