I kërkuar në Gjermani për trafik droge, malazezi arrestohet në Morinë
Një 35-vjeçar malazez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për trafikim të narkotikëve, është arrestuar nga policia kufitare në Morinë.
35-vjeçari nga Podgorica është arrestuar në hyrjen e Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, ku gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem ka rezultuar se malazezi është i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden Gjermani.
Gjykata Laufen ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për veprën penale "Trafikim i narkotikëve, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë.
I arrestuari është identifikuar si D.P., 35 vjeç , banues në Podgoricë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

