Elbasan: Arrestohen 2 të rinj, i gjejnë në banesë 16 kg kanabis dhe 13 kapsolla detonatore
Dy të rinj janë arrestuar në Elbasan, pasi akuzohen për trafik droge dhe shitje të shpërthyese dhe municioneve.
Bëhet fjalë për një 18 vjeçar dhe një 29 vjeçar, të dy banues në Elbasan, të arrestuar në kuadër të operacionit policor antidrogë të koduar “Shënkolli”.
Sipas njoftimit të policisë "gjatë kontrollit në banesën e tyre në lagjen 'Shënkoll", Elbasan, janë sekuestruar rreth 16 kg lëndë narkotike kanabis, 13 kapsolla detonatore, 2 përforcues grushti doreza metalike dhe 2 telefona celularë."
Të arrestuarit janë identifikuar si S.M., 18 vjeç dhe E.L., 29 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, "Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".

