Projekt-buxheti 2022, Malaj: Qeveria s’u ka thënë ende shqiptarëve se sa do jetë rritja e çmimeve
Në buxhetin e vitit 2022 qeveria parashikon rritje të pagave në sistemin e shëndetësisë, arsim, në polici por dhe për punonjësit e institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Në lidhje me këtë eksperti i ekonomisë Arben Malaj, në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, shprehet se pagat duhet të kenë një rritje graduale.
Më tej ai shprehet se qeveria shqiptare ka paralajmëruar për krizë, por ende nuk u ka thënë shqiptarëve se sa do të jetë rritja e çmimeve.
Arben Malaj: Pagat duhet të kenë një rritje graduale. Në këtë rast nuk po flasim për një politikë që është e përhershme. Po flasim për politika që duhen amortizuar goditen e tërmetit, pandemisë dhe së fundmi goditjen e çmimeve. Qeveria akoma nuk ka dhënë shifrat se sa do u kushtojë shqiptarëve rritja e çmimeve të karburanteve, rritja e çmimit të ushqimeve dhe cilat janë politikat që do ndjekë. Nuk ka treguar shumë konkrete.
Më tej eksperti shton se qeveria duhet t’u mundësojë shqiptarëve sasinë e nevojshme të ujit, të dritave dhe të ushqimit, ose përndryshe vendi ynë do të varfërohet dhe të braktiset.
Arben Malaj: Ajo që duhet të bëjë qeveria është se asnjë shqiptar të mos ketë pamundësinë për të pasur sasinë e nevojshme të ujit, sasinë e dritave, të ushqimit dhe strehimit. Nëse një qeveri nuk u realizon qytetarëve të vet këtë, por i lë të varfërohen gjithnjë e më tepër, Shqipëria braktiset bëhet më e varfër. Qeveria nuk e thotë sepse kjo shumë do kërkohet që kompensohet. Në momentin që dalin paratë, qeveria duhet të shkurtojë investimet tek PPP.
Përgatiti për online Anila Kolgjini.
