Kancelarja gjermane takohet për herë të fundit me liderët e Bashkimit Europian
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë lamtumirën Bashkimit Europian duke u pritur me ovacione në samitin e fundit dhe të 107-in për të.
Të premten ajo mori pjesë në takimin e liderëve në Bruksel ku përfaqësoi Gjermaninë për herë të parë në dhjetor të 2005-ës, dhe ku ndër vite trajtoi tema, si kriza e borxheve në eurozonë, kriza e emigrantëve sirianë, Breksiti dhe rimëkëmbja nga pandemia.
"Po e lë Bashkimin Europian nga pozita e kancelares në një moment kur kemi disa problematika ende të pazgjidhura. Detyrat që përball pasardhësi im janë monumentale. Një nga to është çështja e sundimit të ligjit, por edhe emigracioni, që ne akoma nuk e kemi zgjidhur."
Liderët e BE-së i bënë homazhe veprës politike të Merkelit, duke e cilësuar atë një monument europian.
"Samitet pa Angelën do të jenë si Roma pa Vatikanin ose si Parisi pa kullën Efel," tha presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel.
"Shumë pak liderë politikë i kanë vënë parimet e tyre përpara interesave vetjake. Populli i dashur gjerman dhe e gjithë bota ju është mirënjohëse," shtoi me një videomesazh ish-presidenti amerikan, Barak Obama.
Në fokusin e samitit të së premtes ishte përplasja Poloni-BE dhe sundimi i ligjit.
Vendin e kancelares Merkel pritet ta zërë pas disa javësh socialdemokrati Olaf Sholc i cili po tenton të prijë një koalicion tri-partiak me bindje të majta, pas 16 vitesh dominancë nga më konservatorët e Gjermanisë./Ora News/

